Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve voton kundër emergjencës kombëtare


Dhoma e Përfaqësuesve votoi të martën për të bllokuar shpalljen e një emergjence kombëtare në kufirin jugor me Meksikën nga presidenti Donald Trump.

Shpallja e emergjencës do t’i mundësonte presidentit Trump të përdorë paratë për ngritjen e një muri në kufirin jugor, pa autorizimin e Kongresit.

Miratimi i vendimit në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët ishte i pritshëm dhe 13 republikanë votuan për vendimin.

Në Senatin e kontrolluar nga republikanët është më i vështirë miratimi i vendimit, me gjithë faktin se tre republikanë, Susan Collins, Lisa Murkowski dhe Thom Tillis, thanë se e kundërshtojnë shpalljen e emergjencës. Edhe republikanë të tjerë thanë se e kundërshtojnë veprimin e presidentit Trump por, nuk e sqaruan nëse do të votonin kundër tij.

Nuk ka një votim të planifikuar ende në Senat. Edhe nëse do të miratohej vendimi, presidenti Trump është zotuar se do t’i vërë veto.

Ka shumë padi që sfidojnë synimin e presidentit Trump për të ndërtuar murin prej 320 kilometrash duke përdorur fonde të autorizuara për programe të tjera qeveritare.

Presidenti Trump tha se pret të humbë disa nga sfidat fillestare ligjore, por do të mund të ngadhënjej në Gjykatën e Lartë.

Që nga fushata e zgjedhjeve të vitit 2016, ai kishte paralajmëruar ngritjen e murit për të penguar hyrjet e paligjshme të migruesve dhe narkotikëve në vend.

Ai i kërkoi Kongresit miratimin e një shume prej 5.7 miliardë dollarësh për ngritjen e murit, por demokratët refuzuan duke theksuar se muri është i shtrenjtë dhe i pafrytshëm. Në vend të tij ata u pajtuan për një pako shpenzimesh prej 1.4 miliardë dollarësh për ngritjen e pengesave kufitare në Teksas.

Një grup prej 58 ish-zyrtarësh të sigurisë kombëtare nënshkruan një deklaratë, ku argumentojnë se nuk ka arsyetim që presidenti Donald Trump të shfrytëzojë shpalljen e emergjencës për financimin e murit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG