Lidhje

Ndikimi i identitetit kulturor në procesin politik


Procesi politik në Shtetet e Bashkuara shfrytëzon politikën e idenditetit si një mjet për të motivuar votuesit

Është normale për njeriun që të identifikohet me ata që duken, veprojnë si ata dhe që kanë vlera të njejta. Procesi politik në Shtetet e Bashkuara - dhe gati kudo tjetër në botë – shfrytëzon politikën e identitetit si një mjet për të motivuar votuesit.

Ndërkohë që shumë votues thonë se ata votojnë në bazë të qëndrimeve politike të kandidatëve, disa prej tyre influencohen nga përkatësia racore ose etnike e një kandidati apo faktorë të tjerë. Kjo quhet “Politika e Identitetit”.

“Kur njerëzit votojnë, ata duan të votojnë për njerëz që janë si ata. Për dikë që ka të njëjtën racë, të njëjtën gjini, të njëjtën fe, apo të njëjtat pikëpamje politike”, thotë Mark Rom i Universitetit Georgetown në Uashington.

Ai dhe analistë të tjerë thonë se para zgjedhjeve paraprake të 2008 në Karolinën e Jugut, kandidatja për presidente Hillary Clinton kishte mbështetje nga votuesit afrikano-amerikanë. Por burri i saj, ish-presidenti Bill Clinton, e krahasoi senatorin e atëhershëm Barak Obama me një tjetër kandidat të mëparshëm afrikano-amerikan.

“Jesse Jackson fitoi dy herë në Karolinën e Jugut më 1984 dhe 1988, dhe ai zhvilloi një fushatë të mirë. Edhe senatori Obama ka drejtuar një fushatë të mirë këtu”.

Analistët thonë se ky koment i pa përshtatshëm i ka polarizuar votuesit e zezakë. Si rezultat, shumica dërrmuese e tyre iu bashkuan kampit të senatorit Obama. Edhe, në vitin 2012, pritet që mbështetja për të të jetë po aq e fortë.

Ndërkohë që raca dhe etniciteti janë elemente tradicionale të politikës së identitetit, ky përkufizim është shumë më i gjerë.

Besimi ka qenë një faktor i identitetit në Amerikë që nga ditët e para të vendit. Në shekullin e 20-të, katolicizmi ishte një çështje e madhe për kandidatin presidencial demokrat të vitit 1928, Al Smith, dhe për kandidatin demokrat të vitit 1960 John F. Kennedy. Në vitin 2008, dhe përsëri në vitin 2012, besimi Mormon i kandidati republikan Mitt Romney ka qenë polarizues për disa votues.

Edhe ideologjia është faktor i rëndësishëm, siç përmendet nga Nathan Gonzales në raportin politik Rothenberg.

“Unë mendoj se kur është fjala për partinë Republikane, çështja me madhe e ‘politikës së identitetit’ është identiteti 'konservator'. Pra kush është konservator? Kush është më konservator? Kush është konservator pastër?”

Për analistin politik nga Universiteti Howard, Darryl Harris, politika e identitetit do të vazhdojë për aq kohë sa njerëzit vlerësohen dhe trajtohen në bazë të ngjyrës së lëkurës dhe faktorëve të tjerë të pavullnetshëm.

“Nuk mund të bëhet fjalë për një periudhë post-racore nëse ne nuk i eliminojmë pabarazitë dhe padrejtësitë që ne i shohim në shoqërinë amerikane përgjatë vijave të racës, përkatësisë etnike dhe gjinisë”.

Politika e identitetit nuk është një fenomen ekskluzivë amerikan. Ajo ndikon në vendimet politike në mbarë botën, madje në disa vendi si në ish-Jugosllavi, Ruanda dhe Sudan, politika e identiteti zhvillohet deri në pikën e gjakderdhjes.
XS
SM
MD
LG