Lidhje

SHBA, zgjedhjet: Trump fiton 5 shtete, Clinton 4


Republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton janë më afër që të sigurojnë kandidaturat e tyre pas zgjedhjeve paraprake të së martës
Republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton janë më afër që të sigurojnë kandidaturat e tyre pas zgjedhjeve paraprake të së martës

Kandidati republikan Donald Trump, ka fituar në të 5 shtetet ku u zhvilluan zgjedhjet paraprake të së martës. Fitorja e çon atë një hap më pranë emërimit nga partia si kandidat i saj për president.

Trump fitoi në Kënektikat, Delauare, Mariland, Pensilvani dhe Rode Ajlënd, me më shumë se 55 për qind të votave në secilin prej këtyre shteteve.

Donald Trump shkoi në zgjedhjet e së martës me 845 delegatë, i ndjekur nga Cruz me 559 dhe Kasich me 148.

Duke folur para mbështetësve të tij ai tha se "gara ka përfunduar" dhe cilësoi veten tashmë si kandidat. Pas votimeve të së martës ai ka siguruar 950 nga 1 mijë e 237 delegatët e nevojshëm për të siguruara kandidimin, një numër që nuk duket ta sigurojë para kuvendit të republikanëve që mbahet në mujain korrik.

Rivalet e tij republikanë, Ted Cruz dhe John Kasich, nuk mund të sigurojnë numrin e nevojshëm për kandidim dhe kanë rënë dakord që në shtetet që kanë mbetur në javët e ardhshme, të bashkëpunojnë për të mos lejuar Trumpin të sigurojë numrin e duhur të delegatëve, duke detyruar partinë ta zgjedhë kandidatin gjatë ditëve të kuvendit në korrik.

Gjatë një takimi elektoral në shtetin e Indianës, ku zgjedhjet paraprake zhvillohen javën tjetër, Ted Cruz e pranoi se ai nuk do të fitonte në ndonjë prej shteteve të martën, por u tha mbështetësve të tij të mos mendojnë se ai nuk ka shanse, pasi ai pret të dalë mirë në Indiana javën tjetër dhe në Nebraska, më 10 maj.

Trump e quajti fushatën kundër tij "Të ndalim Trumpin" një përpjekje "të mjerë" dhe e akuzoi Partinë Republikane se po e trajton atë padrejtësisht, duke e cilësuar sistemin e emërimit si të "manipuluar".

Sipas një ankete të fundit, ai gëzon 50 për qind mbështetje mes votuesve republikanë në mbarë vendin. Kjo është hera e parë që ai siguron mbi 50 për qind, sipas anketës së "NBC Neës/Survey Monkey", (departamentit të lajmeve të rrjetit televiziv NBC dhe platformës të specializuar për anketa përmes internetit Survey Monkey).

Kandidatja e demokratëve Hillary Clinton u drejtohet mbështetësve të saj në Philadelphia, në zgjedhjet paraprake të së martës
Kandidatja e demokratëve Hillary Clinton u drejtohet mbështetësve të saj në Philadelphia, në zgjedhjet paraprake të së martës

Në kampin demokrat, ish sekretarja e shtetit Hillary Clinton, fitoi në shtetet Delauare, Meriland, Pensilvani dhe Kënektikat. Senatori i Vermontit, Bernie Sanders fitoi në Rode Ajlënd.

Clinton e cila shkoi në garat e së martës me 1944 delegatë, tashmë ka 2 mijë e 141 delegatë, ndërsa për të siguruar emërimin e kandidatit demokrat i duhen 2383 delegatë.

Ajo u tha mbështetësve të ngazëllyer në Filadelfia se do të bashkojë Partinë Demokratike për të fituar zgjedhjet presidenciale në nëntor dhe të cojë pëprara traditën përparimtare të saj.

Kandidati demokrat Bernie Sanders flet para përkrahësve gjatë një tubimi në Huntington
Kandidati demokrat Bernie Sanders flet para përkrahësve gjatë një tubimi në Huntington

XS
SM
MD
LG