Lidhje

Amerikanët votojnë në zgjedhjet presidenciale


Miliona amerikanë po votojnë të martën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që kulmon një fushatë të shoqëruar me shumë debate, mes demokrates Hillary Clinton dhe Republikanit Donald Trump.

Clinton, ish Sekretarja amerikane Shtetit, e cila shpreson të zgjidhet presidentja e parë e Shteteve të Bashkuara, votoi me bashkëshortin e saj, ish presidentin Bill Clinton, në një qendër votimi pranë shtëpisë së saj, në një lagje në periferi të Nju Jorkut.

Ajo tha se “ndjen përgjegjësi të madhe, nga fakti i rëndësisë së madhe që kanë këto zgjedhje për vendin dhe se do të bënte më të mirën e mundshme në se do të ketë fatin t’i fitojë zgjedhjet”.

Trump, manjati i pasurive të patundshme, i cili kandidon për herë të parë për një post zyrtar, votoi me bashkëshorten e tij Melania, pranë shtëpisë së tyre, në një grataçielë të Nju Jorkut.

Ai tha se “është një nder i madh, madje i jashtëzakonshëm” që po votonte për veten e tij në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Më parë, në një intervistë për televizionin Fox News, Trump e përshkroi fushatën presidenciale si një “proces të mrekullueshëm”, gjatë të cilit ai ndeshi me aspiratat e papërmbushura të shumë amerikanëve. Trump tha se “kishte parë shumë ëndërra dhe shpresa të parealizuara, të cilat mund të ishin arritur nën udhëheqjen e duhur.”

Zoti Trump pati thënë se ai do ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve në se fiton. I pyetur menjëherë pasi votoi se ç’do të bënte në se televizionet njoftojnë fitoren e zonjës Clinton, Trump u shpreh: “Të shohim ç’do të ndodhë.”

Fituesi i zgjedhjeve presidenciale do të bëhet presidenti i 45-të i SHBA, duke i zënë vendin presidentit Barack Obama, një mbështetës i fuqishëm i zonjës Clinton. Fituesi i zgjedhjeve do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, kur sipas Kushtetutës amerikane, Presidenti Obama të largohet nga posti i tij.

Të dy kandidatët përfaqësojnë votues shumë të ndryshëm. Zonja Clinton i përket klasës politike në Uashington që prej 25 vjetësh: si Zonjë e Parë, senatore dhe më pas sekretare shteti për katër vjet. Zoti Trump, i cili ka ndërtuar grataçielë dhe kazino i ka tërhequr votuesit me mesazhin e tij si një njeri pa lidhje politike me Uashingtonin.

Anketat para zgjedhore kanë treguar se zonja Clinton gëzon mbështetjen e grave, hispanikëve, zezakëve dhe personave me arsim universitar. Ndërsa zoti Trump ka mbështetjen e burrave të bardhë nga shtresa e punonjësve, pa diplomë universitare dhe nga zonat rurale.

XS
SM
MD
LG