Lidhje

Palmer dhe Lajçak në Kosovë


Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, filluan të hënën takimet me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për rifillimin bisedimeve.

Palmer dhe Lajçak në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Të gjitha takimet po mbahen me dyer të mbyllura.

Ndonëse edhe me takime të ndara e të përbashkëta, vizita e tyre shihet si një mesazh i bashkërendimit transatlantik lidhur me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Rifillimi i bisedimeve është paralajmëruar për mesin e muajit qershor dhe do të shënojë rastin e parë të takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Një bashkërendim i tillë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sipas vëzhguesve, pritet të shtohet me administratën e presidentit amerikan Joe Biden, i cili u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje që do të kishte në qendër njohjen e ndërsjellë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë.

Paralajmërimet për rifillimin e bisedimeve tashmë dhjetëvjeçare, që njohën periudha ndërprerjesh u përcollën me debate rreth disa dokumenteve joformale për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor që përfshijnë edhe ide për ndryshime kufijsh.

Idetë e tilla u kundërshtuan nga Bashkim Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha nëpërmjet një komunikate se Kosova pret "që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve".

Ajo ripërsëriti qëndrimin se për Kosovën "mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit", ndërsa e cilësoi si përparësi çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti citohet të ketë thënë se "bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur sepse është i domosdoshëm", ndërsa ka nënvizuar se "dialogu duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithëmbarshme".

Partitë opozitare në Kosovë, më herët gjatë së hënës i kërkuan zoti Palmer, i cili po qëndron për një vizitë treditëshe në Prishtinë, përfshirje më të madhe amerikane në procesin e bisedimeve, duke vlerësuar se Shtetet e Bashkuara janë partneri më i fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG