Lidhje

Amerikanët: Evropa më e rëndësishme se Azia


Ivan Vejvoda
Ivan Vejvoda

Anketa e Prirjeve Trans-Atlantike e Fondit gjerman Marshall është bërë burim i rëndësishëm i opinionit publik amerikan dhe evropian

Për më shumë se një dekadë, Anketa e Prirjeve Trans-Atlantike e Fondacionit Gjerman Marshall është bërë një burim i rëndësishëm i opinionit publik amerikan dhe evropian lidhur me një numër çështjesh transatlantike, përfshirë sfidat e përbashkëta të politikës së jashtme, mbështetjen për NATO-n, ekonominë dhe daljen e fuqive të tjera botërore. Anketa e këtij viti u zhvillua në Shtetet e Bashkuara, Turqi dhe në 12 vende anëtare të Bashkimit Evropian: Bullgari, Britani, Francë, Gjermani, Itali, Holandë, Poloni, Portugali, Rumani, Sllovaki, Spanjë dhe Suedi, dhe për herë të parë në Rusi.

Një rezultat i rëndësishëm i anketës së këtij viti është rikthimi i vëmendjes së amerikanëve tek Evropa, megjithë “deklaratat zyrtare” për një kthim drejt Azisë. Rreth 55 për qind e amerikanëve thonë se Evropa zë vendin e parë në këtë drejtim, madje 63 për qind e amerikanëve duan që Bashkimi Evropian të luajë një rol më të madh udhëheqës në arenën botërore, thotë Ivan Vejvoda i Fondacionit gjerman Marshall:

“Vitin e kaluar u vu re një ndryshim opinioni, kur më shumë amerikanë besonin se Azia ishte më e rëndësishme se Evropa. Është normale për amerikanët të thonë se Evrope është më e rëndësishme se sa Azia. Dhe këtë vit ne u kthyem në këtë opinion standard”.

Më shumë se 60 për qind e banorëve të vendeve të BE-së thanë se Amerika është më e rëndësishme për interesat kombëtare të vendeve të tyre se sa Azia. Anketa tregon gjithashtu mbështetje për NATO-n në të dyja anët e Atlantikut.
Si amerikanët edhe evropianët vazhdojnë të mendojnë në mënyrë të favorshme edhe për Bashkimin Evropian.

“Shumica e shikojnë në mënyrë të favorshme anëtarësimin në këtë klub prej 500 milionë banorësh me 27 vende anëtare. Por kur i pyet ata rreth monedhës së përbashkët Euro, në përgjigjet e tyre shikon ndikime negative”.

Megjithatë, 76 për qind e evropianëve të anketuar mendojnë se sistemi i tyre ekonomik përfiton nga ato pak vende të pasura. Po të këtij mendimi janë edhe 64 për qind e amerikanëve.
Për herë të parë, opinioni publik në Rusi u mat në një sërë çështjesh si marrëdhëniet transatlantike, siguria, udhëheqja globale dhe ekonomia. Zoti Vejvoda thotë se pikpamjet e rusëve ndryshojnë nga ato të amerikanëve dhe evropianëve në disa mënyra të rëndësishme, por rezultati më i spikatur ishte mendimi i përbashkët rreth rëndësisë së bashkëpunimit mes rusëve dhe Perëndimit.

“Në anketën me rusët ne pyetëm rreth vlerave dhe interesave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Kinën. BE-ja gëzon mbështetjen më të madhe, 63 deri 65 për qind e të anketuarve shprehen pozitivisht rreth vlerave të përbashkëta. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëdhëniet me Kinën, ndërsa për amerikanët kjo shifër është nën 50 për qind”.

Gjermania gëzon një mbështetje më të madhe në Rusi, në shifrën 70 për qind. Kancelarja gjermane, Angela Merkel është udhëheqësja më popullore në Evropë, ndërsa Presidenti Barak Obama është udhëheqësi më popullor në të dyja anët e Atlantikut.
Shumë ekspertë e konsiderojnë anketën vjetore të Fondacionit Marshall si një mjet të dobishëm për politikanët dhe akademikët, i cili ndikon në vendimet mbi politikën e jashtme të vendeve të tyre.
XS
SM
MD
LG