Lidhje

SHBA: Mbyllja e qeverisë hyn në ditën e tretë


Senati po voton për një paketë për të rihapur qeverinë deri më 8 shkurt, megjithëse miratimi nuk është i garantuar. Udhëheqësit e senatit Mitch McConnell dhe Chuck Schumer po vazhdojnë të negociojnë për një marrëveshje për rihapjen e qeverisë dhe për të filluar punën legjislative për mbrojtjen e një grupi imigrantësh, por zoti Schumer tha se ende nuk është gjetur një rrugë për të ecur përpara.

Qeveria u mbyll të shtunën në mëngjes, por sot po ndjehet më shumë pasi zyrat federale në gjithë vendin që normalisht janë të hapura, mbeten të mbyllura.

“Duket e pabesueshme. Kujt i lindin ide të tilla?”

“Ky organizëm nuk bie dot dakord as të mbështesë financiarisht trupat. Aq jofunksionalë jemi bërë”.

Një pengesë e madhe vazhdon të jetë koha dhe përmbajtja e reformës së imigracionit, përfshirë fatin e qindra-mijëra imigrantëve pa dokumenta që janë sjellë në Amerikë kur ishin fëmijë.

“Në një anketë të fundit, shumica e të pyeturve tha se mbajtja e qeverisë hapur është një përparësi më e madhe sesa mbyllja e qeverisë me argument çështjen e imigracionit të paligjshëm”.

“Udhëheqësi republikan do që t’ju bëjë të besoni se ne demokratët sollëm mbylljen e qeverisë. Ai harron se disa anëtarë të partisë së tij votuan kundër vazhdimit të buxhetit të përkohshëm. A po e mbajnë ata qeverinë peng për imigracionin e paligjshëm? Nuk duket ashtu”.

Presidenti Donald Trump po e shton presionin në Twitter, duke shkruajtur se demokratët “thjesht duan që imigrantët e paligjshëm të hyjnë në vendin tonë të pakontrolluar”.

Ndërkohë, një reklamë e miratuar nga Presidenti Trump, ka si synim të bëjë për vete përkrahësit e tij dhe t’i dëmtojë demokratët me një pretendim të bujshëm:

“Presidenti Trump ka të drejtë, Muri duhet ndërtuar. Kriminelët duhen dëbuar. Ndal imigracionin e paligjshëm tani. Demokratët që po bëhen pengesë do të jenë bashkëfajtorë në çdo vrasje të kryer nga imigrantë të paligjshëm”.

Demokratët thonë se nuk do të mashtrohen nga sulmet e rreme, duke shtuar udhëheqësi i demokratëve në senat ra dakord për financimin për murin e kufirit në negociata direkte me zotin Trump javën e kaluar, por Shtëpia e Bardhë nuk e pranoi marrëveshjen.

“Udhëheqësi i Pakicës Chuck Schumer shkoi me vullnetin për një zgjidhje dhe bëri një lëshim të rëndësishëm lidhur me përpjekjen donkishoteske të Presidentit për murin në kufirin me Meksikën. Dhe me gjithë përpjekjet, njerëzit e presidentit morën në telefon dhe thanë ‘mori fund’”.

Vetëm shërbimet e domosdoshme qeveritare po vazhdojnë gjatë periudhës kur nuk ka fonde për financimin e plotë dhe shumë punonjës federale nuk do të punojnë. Një mbyllje 16 ditëshe në vitin 2013 i kushtoi ekonomisë rreth 24 miliardë dollarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG