Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve, miratoi një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të verë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.
Miratimi i Rezolutës, në këtë komision, vetëm pak ditë pas përvjetorit të vrasjes së vëllezërve Bytyçi, i hapi rrugën kalimit të saj në Kongres.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.
Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Trupat tyre u gjetën në në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.
Në Rezolutën e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë thuhet se “Shtetet e Bashkuara duhet t’u kushtojnë vëmendje përpjekjeve të qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet mesa tjerash në dokument.
Rezoluta ju referohet fakteve rreth vrasjes bashkë me përfshirjen e zëvendës ministrit të brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavleviçit. Ajo përfshinë edhe premtimet e papërmbushura të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për ndriçimin e vrasjeve.
Familjarët e vëllezërve Bytyçi, mirëpritën rezolutën dhe vlerësuan angazhimin e kryetarit të këtij komisioni, Eliot Engel dhe ligjvënësit Lee Zeldin, në mbështetje të kërkesave të familjes për të vënë drejtësinë.
Ilir Bytyçi, tha se “bota e di që Serbia po i mbron kriminelët e luftës, përfshirë ata qqë vranë vëllezërit e mi. Askush nuk mund të mashtrohet me. Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë e bëri të qartës e Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga kjo çështje”.
Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.
Facebook Forum