Lidhje

SHBA, vazhdojnë kritikat për qëndrimin ndaj familjeve imigrante


Pamje të fëmijëve duke qarë dhe njoftimet për më shumë se 2300 fëmijë të ndarë nga prindërit, pasi ndalohen duke kaluar ilegalisht kufirin kanë mbushur ekranet dhe faqet e gazetave. Këto pamje anë përcjellë me revoltim dhe kritika të forta ndaj praktikave që po ndjek administrata nën parullën “asnjë tolerancë” për imigracionin e paligjshëm. I vënë përballë një presioni të fortë, Presidenti Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për të ndalur praktikën e ndarjes së prindërve nga fëmijët. Dje, Zonja e Parë, Melania Trump vizitoi një qendër ku mbahen fëmijët e imigrantëve në Teksas. Siç njofton korrespondentja Zlatica Hoke, asnjë nga këto përpjekje nuk i ka ndalur kritika:

Melania Trump bëri një vizitë të panjoftuar në Qendrën e Fëmijëve në McAllen të Teksasit ku strehohen më shumë se 50 fëmijë. Pamjet tregojnë zonjën e parë duke vizituar qendrën dhe duke folur me personelin, por jo duke u takuar me fëmijët.

“Dua t’ju falenderoj për punën e madhe, për humanizmin tuaj”.

Ndërkaq një ligjvënës nga Teksasi kishte kritika për vizitën:

“Presidenti po dërgon në Teksas të shoqen, e cila është vetë nënë. Unë vetë mendoj se fëmijët që mbahen në kafaze nuk duan të takohen me një nënë, duan nënat e tyre,” tha ligjvënësi Lloyd Doggett.

Pak pas vizitës, media publikoi fotografi të zonjës Trump kur po futej në avion për të shkuar në Teksas, veshur me një xhaketë ku ishin stamposur fjalët: “Unë nuk dua t’ia di. Po ti?” Zëdhënësja tha se nuk kishte ndonjë mesazh të fshehur pas këtyre fjalëve.

Ndërkaq, një grup kryebashkiakësh nga mbarë Shtetet e Bashkuara vizitoi një tjetër qendër në Teksas për të parë nga afër si trajtohen imigrantët. Kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio ishte një ndër ta.

“Presidenti u tërhoq sot. Ai ende nuk e ka zgjidhur problemin, vazhdon ende politika “asnjë tolerancë”. Kjo bie ndesh me një traditë amerikane për të respektuar ata që i ikin persekutimit. Familjet nuk po ribashkohen. Nuk e dimë kur do të ribashkohen, por ne do të vazhdojmë të luftojmë”.

Presidenti Trump tha se kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të mundësuar ribashkimin e familjeve.

“Nuk duam që fëmijët të ndahen nga prindërit”.

Administrata këmbëngul se imigrantët duhet të ndjekin procedura ligjore për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Analistët thonë se shumë prej njerëzve që janë futur ilegalisht plotësojnë kushtet për azil në Shtetet e Bashkuara, por procesi është shumë i ngadaltë për ata që janë në rrezik jete.

“Duhet të merremi me njerëzit që përpiqen të vijnë këtu në rrugë ligjore dhe t’ua bëjmë më të lehtë të vijnë. Kjo do ta zgjidhte problemin,” thotë analisti David Bier.

Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se si rezultat i politikës aktuale të administratës, imigrantët po kthehen në kufi nga autoritetet prandaj shumë prej tyre zgjedhin ta kalojnë kufirin në rrugë të paligjshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG