Lidhje

Shtëpia e Bardhë nuk do të marrë pjesë në dëgjesën e së mërkurës


Shtëpia e Bardhë tha se nuk do të marrë pjesë në dëgjesën e së mërkurës para Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, në kuadër të hetimeve për shkarkimin e presidentit.

Kryetari i komisionit, Jerrold Nadler, ftoi presidentin Donald Trump dhe avokatët e tij që të marrin pjesë në degjesën e parë të komisionit, derisa hetimi për shkarkimin po hyn në fazën e tij të re.

Ndërsa askush nuk priste që presidenti të paraqitet në komision, meqë ai planifikon të marrë pjesë në takimin lartë të NATO-s në Londër këtë javë, avokati i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, refuzoi ftesën po ashtu.

"Nuk mund të pritet të marrim pjesë në një seancë ndërsa dëshmitarët ende nuk janë të emëruar dhe ndërsa mbetet e paqartë nëse Komisioni Juridik do t'i sigurojë presidentit një proces të drejtë...” tha zoti Cipollone në një letër drejtuar zotit Nadler të dielën vonë.

Ai shkroi se do të përgjigjet deri në fund të javës nëse Shtëpia Bardhë do të paraqitet në dëgjesat e ardhshme.

Zoti Nadler e siguroi presidentin Trump dhe këshilltarët e tij në ftesën e dërguar javën që shkoi se "ai mbetet i përkushtuar për të siguruar një proces të drejtë dhe informues".

Ai tha se presidenti Trump ka "mundësinë që të përfaqësohet në seancat e hetimeve për shkarkim, ose t’u jap fund ankesave për procesin".

Dëgjesa e së mërkurës në Komisionin Juridik do të përqendrohet në bazën kushtetuese të procesit te shkarkimit të presidentit. Dëshmitarët që ende nuk janë emëruar, do të jenë ekspertë ligjor.

Komiteti i Inteligjencës, i cili mbajti një seri dëgjesash publike dhe me dyer të mbyllura muajin e kaluar, do t'i dorëzojë gjetjet e tij Komisionit Juridik, anëtarët e të cilit do të vendosin nëse do të hartojnë akuzat për shkarkimin e presidentit.

Akuzat e mundshme që mund të çojnë në shkarkimin e tij përfshijnë ryshfetin, krime të rënda dhe shkelje të detyrës.

Presidenti Trump akuzohet se bllokoi një ndihmë shumë të nevojshme ushtarake prej afro 400 milionë dollarësh për Ukrainën, në shkëmbim të angazhimit publik të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, për të hetuar rivalin e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020, Joe Biden, për pretendimet për korrupsion.

I biri i zotit Biden, Hunter Biden, ishte pjesë e këshillit drejtues të kompanisë ukrainase të gazit, Burisma. Presidenti Trump pretendon se kur Joe Biden ishte nënpresident kishte bllokuar një ndihmë për Ukrainën për të kushtëzuar shkarkimin e një prokurori që po hetonte kompaninë Burisma.

Presidenti Trump po ashtu ngulë këmbë se ishte Ukraina dhe jo Rusia ajo që ishte përzier në zgjedhjet e vitit 2016 në dobi të demokratëve.

Asnjë dëshmi kundër Bidenve nuk ka dalë në sipërfaqe dhe akuzat ndaj Ukrainës mbështeten në teori komploti që janë hedhur nga Rusia.

Presidenti Trump ka mohuar te këtë bërë ndonjë veprim të gabuar dhe e ka quajtur shpesh hetimin për shkarkim një “shaka” dhe “gjueti shtrigash”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG