Lidhje

Sulmet me raketa shënjestërojnë ambasadën dhe trupat amerikane në Irak


Një numër raketash u hodhën në drejtim të ambasadës amerikane në kryeqytetin e Irakut mëngjesin e hershëm të së enjtes, sipas burimeve irakiane të sigurisë, të fundit në një seri sulmesh në zonat ushtarake dhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara ditëve të fundit.

Raketat nuk qëlluan ambasadën, por ranë në pjesë të tjera në Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, tha të mërkurën se 14 raketa u hodhën në një bazë që strehon personelin ushtarak amerikan në provincën perëndimore të Anbarit.

Zëdhënësi i koalicionit, koloneli i ushtrisë amerikane, Wayne Marotto, tha se raketat ranë në bazën ajrore Ain Al-Assad dhe në perimetrin e saj. Dy veta pësuan plagë të lehta.

Zëdhënësi i ministrisë irakiane të Mbrojtjes, Yehia Rasool, i cilësoi sulmet me raketa si veprime “terroriste”, ndërsa nëvzioi se "armiqtë e Irakut po ndërhyjnë duke vënë në shënjestër sigurinë e vendit, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve tanë".

Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar milicitë e mbështetura nga Irani që veprojnë në Irak dhe Siri, për një valë sulmesh ndaj trupave amerikane dhe objekteve ushtarake ku ato janë të vendosura.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, u tha gazetarëve në një konferencë të mërkurën se këto sulme "janë shpërfaqje e kërcënimit që milicitë e mbështetura nga Irani për sovranitetin e Irakut dhe qëndrueshmërinë e Irakut".

Ushtria amerikane është përgjigjur me sulme ajrore mbi pozicionet e përdorura nga milicitë e mbështetura nga Irani. Pentagoni tha në fund të muajit të kaluar se sulmet e tij kishin për qëllim parandalimin dhe pengimin e sulmeve në të ardhmen.

*Mbështetur edhe mbi informacionet e agjencive AFP dhe Reuters.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG