Lidhje

Ligjvënësit amerikanë propozojnë veprimtaren serbe për çmimin Nobel


Senatori Roger Vicker, kryesuesi i Komisionit të Helsinkit dhe ligjvënësi Eliot Engel, e propozuan zonjën Natasha Kandiç dhe Fondin e saj për të Drejtën Humanitare për çminin Nobel për Paqe për vitin 2018.

Zonja Kandiq e cila themeloi këtë organizatë në Beograd, në vitin 1992, për të dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera gjatë konflikteve që quan në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë, ka fituar shumë mirënjohje ndërkombëtare për punën e saj humanitare.

“Si anëtarë të Kongresit amerikan, në ndihmuam formësimin e reagimit ndërkombëtarë ndaj konflikteve që shpërthyen në Ballkanin Perëndimorë dhe vazhdojmë të mbështesim e nxisim rimëkëmbjen pas konfliktit në vendet e rajonit", thuhet në propozimin e përbashkët që ligjvënësit i dërguan organizatës së çmimit Nobel me seli në Norvegji.

"Kjo mirënjohje do të çonte më përpara kauzën e paqes dhe ripajtimit në këtë dhe rajonet tjera të trazuara të botës sonë", thanë ata.

E shkolluar për avokate, zonja Kandiç, është meritore për furnizimin e zyrtarëve të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krime lufte në Hagë me prova thelbësore për rolin e Serbisë në masakrimin e burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në vitin 1995 në Srebrenicë. Dokumentimi që ajo u bëri mizorive të komandantëve ushtarak serbë gjatë vitevet ë 90-ta, çoi në përndjekjen e udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe komandantit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladic.

Zonja Kandiç, në të shtatëdhjetat, vazhdon të marrë kërcënime me vdekje kryesisht për shkak të angazhimit të Fondit të saj në fushatat për paqe e ripajtim në Ballkan. Ajo ka ndihmuar ngritjen e Komisionit rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi, KOMRA, një mekanizëm që u themelua në tetor të vitit 2008 në Prishtinë dhe synon të hartojë listat e të gjithë personave të vrarë, të zhdukur, të burgosur dhe torturuar në konfliktet e viteve të 90-ta pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare.

E befasuar me propozimin, zonja Kandiç i tha Zërit të Amerikës se ky duhet frymëzojë veprimtarët humanitar në Ballkan.

Në një intervistë dhënë shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës ajo tha se "asgjë nuk ka ndryshuar gjatë 25 viteve të kaluara. Nuk ka përparim, nuk ka një gjendje të re që tregon se jemi bërë shoqëri më e qytetëruar. Prandaj më duket se propozimi është shumë i fortë, Nuk u përgjigjet rezultateve që janë arritur këtu", tha ajo.

Ajo shfaqi shpresën se udhëheqësit e vendeve që kanë dalë nga ish Jugosllavia do të nënshkruajnë marrëveshjen për KOMRA-n. "Kjo do të ishte fitore e madhe për shoqërinë civile në tërë rajonin", tha ajo.

Fondi për të Drejtën Humanitare i zonjës Kandiç, ka hartuar në listë të viktimave të luftës në Kosovë dhe ka bërë thirrje të vazhdueshme për ndriçimin e së vërtetës për atë çfarë ka ndodhur në luftën e viteve 1998-1999.

Në janar të vitit 2015 Fondi për të Drejtën humanitare, tha se ka dokumente që dëshmojnë se shefi aktual i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, është përgjegjës për krime lufte në Kosovë. Sipas fondit, ai është përgjegjës për krime në fshatrat Rezallë dhe Çikatovë e Vjetër, të rajonit të Drenicës në Kosovën qendrore, si dhe për fshehjen e trupave në një varrezë masive në rajonin e Rashkës në Serbinë jugperëndimore. Fondi thotë se ka dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë dhe Çikatovë më 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ishte shefi aktual Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG