Lidhje

Kosova dhe SHBA nënshkruan protokollin për marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve


Zëvendës ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, dhe ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, nënshkruan të enjten protokollin e instrumenteve të “ratifikimit të marrëveshjes së ekstradimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Në një komunikatë të ministrisë së Drejtësisë thuhet se nënshkrimi synon forcimin e marrëdhënieve në fushën e bashkëpunimit juridik ndërmjet dy vendeve.

Komunikata citon ministrin Tahiri të ketë thënë se “ky nënshkrim shënon një rast historik për marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve dhe se traktati pasqyron realitetin e ri në Ballkan. Traktati, është simbol i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes dy vendeve dhe i jep një kahje krejt të re bashkëpunimit mes dy vendeve, duke rritur bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, si dhe duke u ofruar prokurorëve dhe autoriteteve tjera në të dy anët e Atlantikut, mjete të reja për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë”.

Marrëveshje sipas komunikatës “fuqizon edhe më tej sundimin e ligjit dhe subjektivitetin e Kosovës, duke e bërë një partner të besueshëm në luftën kundër krimit trans nacional”.

Në mars të vitit 2016, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar marrëveshjen për ekstradim, që sipas zyrtarëve kishte për qëllim përveç forcimit të partneritetit dhe përcaktimit për rend dhe ligj, të garantojë po ashtu se kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve e të dyja vendeve, do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë.

Marrëveshje ishte cilësuar historike pasi që e zëvendësonte atë ndërmjet qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe mbretërisë së Serbisë, të nënshkruar në vitin 1901.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG