Lidhje

Pritshmëritë nga takimi Kosovë – Serbi më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë


Nga takimi i 2 marsit 2020 në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se takimi i paralajmëruar për 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dëshmon përkushtimin amerikan për një zgjidhje që do të çojë në njohjen e ndërsjellë, ndërsa ritheksoi se nuk do të ketë bisedime që prekin tërësinë tokësore të Kosovës.

Pritshmëritë nga takimi Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:52 0:00

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se palët do të takohen më 27 qershor, pasi që kishte marrë “zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe të kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ftesa për datën 27 për takim në Shtëpinë e Bardhë, rrit shpresën, optimizmin dhe besimin se ky proces do të ketë sukses. E para, pasi që ky proces e ka mbështetjen e qartë të SHBA-vë, të vet presidentit Trump si dhe këmbëngulësinë por edhe vizionin e ambasadorit Grenell”, tha presidenti Thaçi.

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Ai tha se është hera e parë që një takim i tillë organizohet nga Shtetet e Bashkuara në Shtëpinë e Bardhë dhe ky është një moment që duhet të shfrytëzohet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se nuk do të ketë njohje të Kosovës në takimin në Washington, ndërsa paralajmëroi, siç tha, disa takime të tjera të rëndësishme por pa e saktësuar se për çfarë takimesh bëhet fjalë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se nuk do të ketë njohje të Kosovës në takimin në Washington, ndërsa paralajmëroi, siç tha, disa takime të tjera të rëndësishme por pa e saktësuar se për çfarë takimesh bëhet fjalë.

Aleksandër Vuçiç
Aleksandër Vuçiç

“Unë mendoj që këtu po luhet një lojë e madhe ndërkombëtare ndërmjet lojtarëve të mëdhenj. Ne jemi të vegjël këtu, ne edhe shqiptarët. Nuk e kemi problemin që të bisedojmë. Atë që e shoh unë si problem është që nuk ka zgjidhje thelbësore e cila do të ishte njëjtë e pranueshme ose e papranueshme për të dyja palët”, tha presidenti serb.

Ai tha se zoti Grenell përqendrohet në çështje ekonomike, ndërsa nënvizoi se ka një mospajtim të thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë sa i përket çështjes së Kosovës, por Serbia duhet të jetë e kujdesshme që të dalë e “palënduar nga përplasja e elefantëve”.

Analistët thonë se takimi i Washingtonit është shumë i rëndësishëm dhe se duhet të shfrytëzohet përkushtimi amerikan për të gjetur një zgjidhje në mes të Kosovës e Serbisë.

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti thotë se takimi në Shtëpinë e Bardhë do të jetë një sprovë e vërtetë për Kosovën e Serbinë.

Naim Rashiti
Naim Rashiti

“Po besoj që po kërkohet një kornizë marrëveshje me parime për të kërkuar një marrëveshje e cila do të jetë një marrëveshje jo gjithëpërfshirëse finale, sepse nuk do të mund të arrihet deri në vjeshtë, por që t’i përmbajë shumicën e parimeve dhe që do të ketë komponentën e saj ekonomike përmes marrëveshjeve në lidhje me transportin dhe investimet ekonomike”, tha ai.

Analisti Ilir Ibrahimi tha për Zërin e Amerikës se ky takim është një shenjë e mirë dhe zhbllokon bisedimet pas një kohe të gjatë.

“Unë besoj që në takimin e radhës që do të kemi në Washington, do të ketë ndoshta një pajtim rreth parimeve bazë të cilat do të çonin në një marrëveshje eventuale brenda këtij viti siç edhe thuhet, pra se cilat janë pritjet e Kosovës, cilat pritjet e Serbisë dhe cilat janë pritjet e SHBA-ve. Po besoj që këtu do ta kemi edhe një paraqitje nga presidenti Trump. Është paralajmëruar që presidenti Trump e mirëpret një samit të paqes ndërmjet Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë por nuk besoj që do të ketë një marrëveshje në këtë vizitë, sepse është herët dhe nuk mund të mendohet se në një vizitë, në një takim, të arrihet një marrëveshje ndërmjet palëve që kanë pasur mosmarrëveshje për kaq shumë kohë”, tha ai.

Zoti Ibrahimi thotë se marrëveshja duhet që patjetër të përfshijë njohjen e ndërsjellë por sipas tij nëse të dyja palët pajtohen për korrigjim të kufirit, me një gjë të tillë do të pajtohej edhe administrata amerikane.

Ilir Ibrahimi
Ilir Ibrahimi

“Ne duhet ta shohim interesin tonë çfarë na sjellë një korrigjim i mundshëm i kufijve dhe a do ta vendoste Kosovën në linjën ku do të bëhej pjesë e barabartë e shteteve dhe mos ta kishim një Serbi e cila në çdo hapë tonin të na kundërshtonte dhe të na luftonte. Kjo është treguar që Kosovës po i bën dëm shumë dhe nuk e shoh që në të ardhmen e afërt ne do të jemi në një pozicion më të mirë se sa Serbia në këto marrëdhënie ndërkombëtare”, tha zoti Ibrahimi.

Paralajmërimi i takimit rihapi debatet për mundësinë që të diskutohet edhe për prekjen e kufijve të të dyja vendeve.

Ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qeveria e të cilit u rrëzua për shkak të mospajtimeve rreth qasjes ndaj procesit të bisedimeve me Serbinë, shkroi të martën se mes tjerash se “më parë se dialog si proces, kjo duket si takim njëditor ku servohen marrëveshjet”.

Presidenti Thaçi, hodhi poshtë çdo mundësi që në Washington të diskutohet për kufijtë e Kosovës.

“Në asnjë rrethanë nuk pretendohet nga askush as në Washington të cenoj integritetin territorial të vendit dhe ftoj të gjithë që të mos përhapin dezinformata për shkëmbim territoresh apo për diçka”, tha ai.

Paralajmërimi i takimit nga i dërguari i posaçëm amerikan Richard Grenell, ndodhi në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian nisi për në rajon të dërguarin e tij të Posaçëm Miroslav Lajcak që të provojë rifillimin e bisedimeve të pezulluara ndërmjet të dyja vendeve. Zoti Lajçak arriti pasdite në Prishtinë dhe ka filluar takimet me udhëheqësit e Kosovës, përfshirë edhe presidentin Thaçi i cili kishte deklaruar se nuk ka arsye të takohet me të nëse nuk ka asgjë konkrete.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se zoti Lajcak është në rajon madje edhe më propozimin për kohën e takimeve Kosovë – Serbi.

“Ne jemi gjithmonë pozitiv ndaj çdo nisme që merret me qëllim që të ndihmohet procesi i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që është gjithsesi i lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha zoti Stano duke nënvizuar se i dërguari i Bashkimit Evroian Miroslav Lajcak do të propozojë edhe datat e takimeve të ardhshme gjatë vizitës në rajon.

Analisti Zoti Rashiti thotë se deri më sot nuk po shihet një bashkërendim ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për bisedimet dhe se proceset do të varen nga takimi i 27 qershorit.

“Dhe si do të shkojnë këto procese do të varet kryesisht nga se çka do të ndodhë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë. Nëse Shtëpia e Bardhë përcakton një kornizë për dialogun, për marrëveshjen Kosovë-Serbi, besoj që ajo bëhet e patjetërsueshme dhe bëhet forma e vetme e dialogut në të cilën pastaj akterët tjerë do të duhej të fuzionohen apo të ndahet procesi në nivele të ndryshme”, tha ai.

Bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë pritet të rifillojnë pas një pezullimi të gjatë të tyre dhe takimi i 27 qershorit thonë vëzhguesit mund të qartësojë rrjedhën e procesit që filloi më 2011 më ndërmjetësimin e BE-së, por nuk arriti të sigurojë normalizimin ndërmjet të dyja vendeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG