Lidhje

Turqia reagon kundër SHBA ndaj dëbimit të 6 turqve nga Kosova


Ambasada turke në Prishtinë, shpërndau të enjten një reagim të Ankarasë ndaj qëndrimeve të ambasadës amerikane lidhur më dëbimin e gjashtë shtetasve turq, nga Kosova, një vit më parë.

Në reagim citohet zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, të ketë thënë se “jemi duke arritur rezultate konkrete në luftën kundër shtrirjes së organizatës terroriste FETO jashtë vendit. Është duke u kuptuar gjithnjë e më shumë se organizata në fjalë paraqet një rrezik serioz, jo vetëm për Turqinë, por edhe për ato vende ku është duke vepruar”.

Në reagim theksohet se Organizata për Bashkëpunim Islamik si dhe Pakistani e kane shpallur FETÖ-n organizatë terroriste. “Më shumë se në 20 vende, në rajonet e ndryshme të botës, shkollat e organizatës FETÖ janë mbyllur, janë marrë nën kontroll si dhe janë bartur në Fondacionin Maarif të Turqisë. Shumë shtete duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit, kanë dëbuar elementet e FETÖ-s nga territoret e tyre”.

Duke nënvizuar se “të gjitha këto procedura realizohen ne kuadër të ligjeve të vendeve dhe janë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”, zëdhënësi citohet të ketë thënë se një nga kushtet themelore të luftës kundër terrorizmit është një bashkëpunim i sinqertë ndërkombëtar i bazuar në parimet e ligjit.

“Ne i kushtojmë rëndësi vazhdimit të qasjes së fuqishme të vendeve që marrin masa kundër FETÖ-s, kjo organizatë e cila paraqet një kërcënim jetik për vendin tonë në rajonin e Ballkanit, një rajon që e vlerësojmë veçanërisht. I ftojmë partnerët dhe aleatët tjerë që në vend që të përpiqen për të bllokuar masat e marra kundër FETÖ-s, në të njëjtën mënyrë të tregojnë një qasje të kujdesshme”, thuhet në reagim.

Të hënën, ambasada amerikane në Prishtinë, tha se trysnia politike mbi sektorin e sigurisë është shkelje skandaloze e vlerave demokratike, duke komentuar gjetjet rreth operacionit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq një vit më parë.

Në një komunikatë të kësaj ambasade, thuhet se “kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij. Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Zbulimit të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”, thuhet mes tjerash në komunikatën e ambasadës amerikane.

Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të Institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, në vitin 2016.

Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Operacioni që ishte rrjedhojë e trysnisë nga Ankaraja u pasua me shkarkimin e ministritë të Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefit të Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi.

Një komision parlamentar për hetimin e operacionit i cili u themelua në korrik të vitit 2018, gjeti 31 shkelje ligjore gjatë operacionit. Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.

Vëzhguesit thonë se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor ka shtrirje në mjedisit posaçërisht të banuara me myslimanë, siç janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG