Lidhje

Ramush Haradinaj në SHBA


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, udhëtoi të premten për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyra e tij tha se kryeministri Haradinaj është ftuar nga “Komuniteti Katolik Shqiptar, Shën Pali, në Detroit, për të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

Me këtë rast, thuhet në njoftim, kryeministri Haradinaj “do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të SHBA-së”.

Kryengritja e Malësisë "ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, përgjatë viteve 1908-1910 dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail - Qemal Vlora si dhe shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në muajin janar, kryeministri Haradinaj nuk kishte marrë vizë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në lutjet e mëngjesit, gjë që ishte interpretuar si trysni ndaj tij për të pezulluar tarifat ndaj mallrave serbe të vendosura në nëntor të vitit të kaluar.

Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me heqjen e këtyre tarifave dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës t’i pezullojë ato për t’u hapur rrugë bisedimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG