Lidhje

Kosnett: Të respektohet vendimi për pronat e manastirit të Deçanit


Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, u bëri thirrje autoriteteve që të respektojnë institucionet dhe vendimet gjyqësore, duke vënë theksin tek një vendim i i pazbatuar i Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të manastirit mesjetar të Deçanit, në Kosovën perëndimore.

Në një shkrim të shpërndarë nga ambasada amerikane, zoti Kosnett thekson mes tjerash se udhëheqësit politikë duhet “t’i respektojnë institucionet gjyqësore dhe vendimet gjyqësore madje edhe nëse nuk e çajnë kokën për ato vendime”.

Ai thekson më tej se shembull i tillë është rasti i pronësisë së Manastirit të Deçanit. “Në vitin 2016, pas shumë vitesh të procedurave gjyqësore, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi disa hektarë tokë. Megjithatë, me mbështetjen e heshtur të zyrtarëve të lartë dhe udhëheqësve të partive – përgjatë disa qeverive të udhëhequra nga parti të ndryshme politike, për gati pesë vjet – zyrtarët kadastralë të nivelit qendror dhe lokal, nuk zbatuan vendimin për regjistrimin e ligjshëm të tokës së kishës”, shkroi ai.

Gjykata Kushtetuese, në vitin 2016 i njohu manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë. Drejtuesit e Komunës së Deçanit, thonë se këto prona janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka.

Disa që e lexojnë këtë mund t’i mbledhin supet, të kthejnë faqen, të kalojnë te ngjarja tjetër. Pse duhet qytetarët e Kosovës të brengosen për Kishën Ortodokse Serbe?”, shkruan ambasadori Kosnett.

Në fakt, thekson ai “do të argumentoja se nëse qytetarët e Kosovës janë seriozë për përkushtimin e tyre kushtetues për shoqëri shumetnike e të larmishme, me liri fetare për të gjithë, ata do të duhej të mirëpresin praninë e pakicave. E pakicat do të duhej të mirëpresin mundësinë për tu integruar plotësisht në jetën politike dhe ekonomike të vendit”.

Por, shkruan ai, rasti manastirit të Deçanit nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike, politikën apo fenë; ka të bëjë me të drejtat pronësore dhe respektin për ligjin.

Me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, kisha shumë herë ka kërkuar nga qeveria që të respektojë ligjin dhe ta regjistrojë tokën e saj. Përpjekjet e kohëve të fundit të kishës kanë hasur në „heshtje administrative” – refuzim të qeverisë për t’iu përgjigjur kishës në mënyrë kuptimplotë dhe për të vepruar në pajtim me ligjin. Tashmë ka kaluar koha për të regjistruar tokën e kishës në pajtim me ligjin. Kjo mosbindje ndaj sundimit të ligjit, e stërzgjatur me vite nga disa qeveri të ndryshme të Kosovës, vë në mëdyshje përkushtimin e Kosovës për drejtësi për të gjithë”, shkroi ambasadori Kosnett.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG