Lidhje

Kosova konfirmon ftesën për pjesëmarrje në takimin e lartë për demokraci


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmoi të hënën se është ftuar të marrë pjesë në takimin e lartë për demokraci, që organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Presidentja Osmani publikoi ftesën nga presidenti Biden dhe falënderoi atë për, siç tha, “vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetar ta përmbush potencialin e vet”.

Në një postim në rrjetet sociale ajo tha se Kosova është “shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Takimi do të zhvillohet virtualisht më 9-10 dhjetor. Ndonëse, administrata amerikane ende nuk e ka bërë publike listën e plotë të vendeve pjesëmarrëse, një listë e publikuar ditë më parë nga portali amerikan “Politico”, nxiti shumë reagime, meqë në të nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishin përfshirë Kosova, Serbia dhe Bosnja, ndërsa të ftuara ishin Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Javën e kaluar burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës por edhe të Serbisë në takim.

XS
SM
MD
LG