Lidhje

Senatori Chris Murphy në Shkup


Senatori amerikan, Chris Murphy ndodhet në Maqedoni, ku të dielën në mbrëmje u prit nga kryeministri Zoran Zaev.

Sipas një njoftimi të kabinetit të kryeministrit maqedonas, në takim është vlerësuar se “Republika e Maqedonisë po ecë në drejtimin e duhur, përmes proceseve reformuese dhe hapave të ndërtimit të miqësisë me vendet fqinje, në rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.

Në komunikatën e kabinetit të kryeministrit Zaev, thuet mes tjerash se senatori amerikan e ka inkurajuar kryeministrin dhe qeverinë e Maqedonisë që të realizojnë ndryshimet pozitive për vendin, ndërkohë që citohet të ketë theksuar miqësinë e sinqertë të Shteteve të Bashkuara për Maqedoninë.

Kryeministri Zaev ka lënë të kuptohet se qeveria e tij është e vendosur për konceptin “një shoqëri për të gjithë” mbi të cilin ndërtohet Maqedonia dhe për reformat e marrëdhëniet e mira me shtetet fqinje. “Po bëjmë politika përfshirëse dhe dialog mirëkuptimi dhe presim që kjo të vlerësohet për hapjen e dyerve të NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë”, është shprehur Zaev, sipas komunikatës.

Senatori Chris Murphy, anëtar i Nënkomisionit për Marrëdhënie me Evropën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale, para se të nisej për në Maqedoni njoftonte se do të diskutonte me kryeministrin maqedonas shqetësimet mbi njoftimet për diskriminimin e shqiptarëve.

Si mik i vjetër i rajonit të Ballkanit dhe përfaqësues i mijëra votuesve shqiptaro-maqedono-amerikanë, ndjej emocione për takimet që do të kem dhe për idetë të cilat do t’i sjell prej atje. Kam dëgjuar shumë shqetësime nga komuniteti shqiptar në Konektikat rreth trajtimit të familjarëve të tyre në Maqedoni. Synoj t’i ngre këto shqetësime për të gjetur mënyra për forcimin e politikave anti-diskriminuese me kryeministrin (Zaev)”, ishte shprehur senatori amerikan.

Senatori demokrat nga Connecticut, mori pjesë të dielën edhe në një ceremoni të shënimit të 75 vjetorit të holokaustit në Maqedoni, e cila ishte pjesë e mbretërisë jugosllave kur u pushtua nga gjermanët dhe administrohej nga bullgarët si aleat të gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë se 7 mijë hebrenjë nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi ishin futu nëpër geto në mars të vitit 1943 para se të deportoheshin në kampin nazist në Treblinka të Polonisë. Rreth 98 për qind e hebrenjve të Maqedonisë ishin zhdukur.

Vizita e senatori Murphy në Shkup i paraprinë vizitës së ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Vess Mitchell i cili qëndron të martën në Maqedoni, në një kohë kur janë shtuar shpresat për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar të emrit të Maqedonisë dhe integrimin e pritshëm të këtij vendi në strukturat euro-atlantike.

Zoti Mitchell fillon vizitën e tij në rajon të hënën në Kosovë ku siç thuhet në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, “do të inkurajojë qeverinë e Kosovës që të përparojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të forcojë sundimin e ligjit, të nxisë rritjen ekonomike dhe të kapërcejë sfidat rajonale në të mirë të qëndrueshmërisë dhe integrimeve perëndimore”,

Më 14 mars ai do të qëndrojë në Beograd ku "do do të inkurajojë qeverinë serbe që të çojë përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të bëjë reformat e duhura për të përmbushur synimin për anëtarësimin në BE dhe të mbështesë qëndrueshmërinë rajonale".

Diplomati Mitchell që mori detyrën në nëntor të vitit 2017 më pas do të vizitojë edhe Greqinë dhe Qipron.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG