Lidhje

Sekretari Mattis në vizitë të paparalajmëruar në Irak


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, tha të martën se "ditët e Shtetit Islamik janë të numëruara", duke paralajmëruar megjithatë se mposhtja e grupit militant nuk është e afërt.

Ai foli me gazetarët para se të fluturonte për një vizitë të paparalajmëruar në Bagdad për të takuar udhëheqësit e qeverisë irakiane dhe komandantët amerikanë.

Gjatë takimeve të tij, shefi i Pentagonit pritet të diskutojë strategjitë për stabilizimin e Irakut.

“Kjo nuk do të ndodhë brenda natës", tha Mattis. "Do të jetë një ngjitje e vështirë".

Forcat amerikane po udhëheqin një koalicion të vendeve që kryejnë sulme ajrore dhe operacione të tjera ushtarake, në mbështetje të ushtrisë irakiane që nga gushti i vitit 2014, disa muaj pasi luftëtarët e Shtetit Islamik, morën zona të mëdha të Irakut verior dhe perëndimor. Trupat e Irakut shënuan një fitore të madhe në muajin korrik duke rimarrë kontrollin e Mosulit, qytetit të dytë më të madh të vendit.

Të dielën, ushtria irakiane filloi një sulm për rimarrjen e Tal Afarit, një zonë rreth 60 kilometra në perëndim të Mosulit.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po mbështete po ashtu përpjekjet për të dënuar ISIS-in nga Siria fqinje, përfshirë edhe qytetin e Raqqas, kryeqytetin "de facto" të këtij grupi.

Mattis tha të martën se fushata siriane do të jetë e përqendruar në mesin e luginës së Eufratit, një zonë e kontrolluar nga Shteti Islamik që shtrihet përgjatë lumit Eufrat në jug të Raqqas nga Der el-Zour në kufirin e Irakut.

Një nga sfidat për të ardhmen e Irakut është shmangia e ndarjes ndërmjet grupeve Shiite, Sunite dhe Kurde të vendit.

Sekretari Mattis pritet të takojë edhe Massoud Barzanin, udhëheqësin e rajonit gjysmë autonom kurd, ku për muajin e ardhshëm është paralajmëruar një referendum për pavarësim nga qeveria e Bagdadit.

Brett McGurk, i dërguari amerikan në koalicionin kundër ISIS-it tha se kjo nuk është koha për një votë të tillë.

"Një referendum në këtë kohë do të mund të ishte katastrofë për fushatën kundër ISIS- it", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG