Lidhje

Kriza e fëmijëve në kufirin SHBA - Meksikë


Zërat dhe fytyrat e fëmijëve nga Amerika Qendrore të ndarë nga prindërit e tyre në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, janë duke i dhënë tani një element njerëzor debatit lidhur me “politikën e tolerancës zero” ndaj imigrantëve të paligjshëm të Presidentit Donald Trump.

Mbarë bota pati rastin të hënën të dëgjonte të qarat e fëmijëve të ndarë nga prindërit, përmes një regjistrimi në audio të publikuar nga faqja në internet e gazetarisë investigative, "ProPublica". Fëmijët dëgjohen duke ju lutur agjentëve të imigracionit, që të lejohen të rrijnë me “mamin”, apo “babin”, ndërsa prindërit e tyre merreshin në pyetje, në qendra ndalimi, të shkëputur nga fëmijët e tyre.

Në një përpjekje për të zgjidhur situatën e imigracionit të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, administrata Trump, të paktën që nga muaji prill, ka filluar t’i ndajë fëmijët nga prindërit, që hyjnë në mënyrë të paligjshme në kufi.

Gjatë javëve të fundit, kanë qarkulluar mjaft lajme për fëmijët e mbajtur nëpër qendra, numri i të cilëve ka ardhur duke u rritur. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, nga 19 prilli deri më 31 maj të këtij viti, janë ndarë nga prindërit, apo të rritur të tjerë me të cilët ata kanë qenë duke udhëtuar, rreth 2 mijë fëmijë.

Një video e publikuar të hënën nga Zyra Kufitare dhe e Doganave paraqet kushtet e jetesës së fëmijëve që mbahen në një vendstrehim, por shumë kanë shprehur shqetësim se video e paraqitur nga zyrtarët, mund të mos jetë një përshkrim real i situatës.

Përmes komenteve në Twitter, Donald Trump i doli përsëri në mbrojtje politikës për sigurinë kufitare, që solli ndarjen e fëmijëve nga prindërit. Grupe të të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësim për situatën e krijuar në qendrat ku mbahen fëmijët në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG