Lidhje

Udhëheqësit ushtarakë amerikanë paralajmërojnë trupat kundër dhunës politike


Mes shqetësimeve për ripërtëritjen e dhunës në ditën e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden, udhëheqësit e lartë të ushtrisë amerikane lëshuan një deklaratë me shkrim për të gjithë pjesëtarët e shërbimit, se dhuna vdekjeprurëse në Capitol javën e kaluar, ishte një veprim anti-demokratik, kriminal dhe se liria e shprehjes nuk i jep askujt të drejtën për të ushtruar dhunë.

Deklarata e nënshkruar nga të gjithë anëtarët e Shtatmadhorisë gjithashtu u kujton ushtarakëve se zoti Joe Biden është zgjedhur si presidenti i ardhshëm dhe do të marrë detyrën më 20 janar.

Një deklaratë e tillë në formë memorandumi është e pazakonshme për faktin se shefi i Shtatmadhorisë, gjenerali Mark Milley, u ndje i detyruar t’ju kujtojë pjesëtarëve të shërbimit se është e gabuar të prishësh procesin kushtetues. Kjo pasoi përpjekjet e agjencive për zbatimin e ligjit që të përcaktojnë shkallën e plotë të veprimtarisë kriminale në Kapitol dhe të zbulojnë shkallën e pjesëmarrjes në to të pjesëtarëve aktual dhe ish pjesëtarëve të ushtrisë.

Tashmë është vërtetuar se disa veteranë ushtarakë morën pjesë në trazirat në Kapitol, por shkalla e ndonjë përfshirjeje të ushtarakëve në detyrë, nuk është përcaktuar. Senatorja Tammy Duckworth, një veterane e Luftës në Irak, të hënën i shkroi Departamentit të Mbrojtjes duke kërkuar që të bashkëpunojë me FBI-në dhe Policinë e Kapitolit për të hetuar nëse pjesëtarët aktiv apo të pensionuar të forcave të armatosura ishin pjesë e “komplotit për kryengritje” kundër qeverisë.

Deklarata e Shtatmadhorisë nuk aludonte drejtpërdrejt në përfshirjen e ushtarakëve.

"Ishim dëshmitarë të veprimeve brenda ndërtesës së Kapitolit, që nuk ishin në përputhje me sundimin e ligjit", thuhet në deklaratë. "E drejta e lirisë së fjalës dhe tubimit, nuk i japin askujt të drejtën të përdorë dhunë”.

“Si pjesëtarë të shërbimit, ne duhet të mishërojmë vlerat dhe idealet e kombit. Ne mbështesim dhe mbrojmë Kushtetutën. Çdo veprim për të prishur procesin kushtetues nuk është vetëm kundër traditave, vlerave dhe betimit tonë; është në kundërshtim me ligjin”.

Në prag të inaugurimit javën e ardhshme dhe largimit të presidentit Donald Trump nga detyra, Garda Kombëtare po përgatitet për të siguruar mbështetje për agjencitë e zbatimit të ligjit. Nuk ka asnjë plan për të përdorur forcat aktive në operacionet e sigurisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG