Lidhje

Pentagoni fajëson IS-in për sulmin mbi trupat amerikane në Niger


Pentagoni tha se luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik janë përgjegjës për sulmin në jugperëndim të Nigerit që la pas vetes katër ushtarë amerikanë të vrarë. Hollësitë e reja dëshmojnë se fshatarët lokalë mund të kenë luajtur rol në organizimin e pritës.

Zëdhënësja e Pentagoni, Michelle Baldanza, i tha Zërit të Amerikës se militantët e IS-it u zunë pritë forcave amerikane dhe atyre të Nigerit më 4 tetor me ç'rast u vranë edhe katër pjesëtarë të personelit vendas të sigurisë.

Forcat e Posaçme të ushtrisë amerikanë, të njohura edhe si "beretat e blerta", sapo kishin përfunduar një takim me udhëheqësit lokalë dhe po ktheheshin tek makinat e tyre kur u sulmuan, tha një zyrtar amerikan që foli me Zërin e Amerikës me kushtin që të mos i përmendet identiteti, meqë hetimet janë duke vazhduar.

Ushtarët thanë se takimi vajti vonë dhe disa prej tyre dyshojnë se fshatarët qëllimisht vonuan largimin e tyre, tha zyrtari.

Ministria e Mbrojtjes e Nigerit konfirmoi se pati shkëmbim zjarri afër fshatit Tongo Tongo në rajonin Tillaberi. Tetë pjesëtarë të trupave të Nigerit u plagosën gjatë sulmit në të cilin u plagosën edhe dy ushtarë amerikanë të cilët u dërguan në Gjermani për trajtim mjekësor.

Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, u tha gazetarëve të mërkurën se patrulla u godit ashpër në një zonë ku forcat armike nuk vepronin dhe se avionët francez fluturuan mbi zonë brenda 30 minutash pas pritës.

"Unë i hedh tërësisht poshtë pohimet se përgjigja ishte e ngadalshme", tha sekretari Mattis.

Nigeri është aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG