Lidhje

Koreja e Veriut kërcënon me një plan sulmi mbi Guamin


Mediat shtetërore të Koresë së Veriut cituan të mërkurën Gjeneralin Kim Rak Gyom, sipas të cilit Pheniani është “gati të ndërmarrë" një veprim ushtarak që ka në shënjestër Territorin amerikan Guam në Paqësorin perëndimor, ku janë stacionuar një sasi e konsiderueshme forcash ajrore dhe detare të SHBA.

Kim, i cili komandon Forcën Strategjike të Ushtrisë Popullore të Koresë, tha se Veriu do të finalizojë një plan nga mesi i gushtit, për të hedhur katër raketa me rreze të mesme të njohura si Hwasong-12 në drejtim të ishullit. Sipas tij, pas kalimit mbi Japoni, raketat do të binin në ujërat 30 deri në 40 kilometra larg brigjeve të ishullit Guam.

Plani, i pazakontë përsa i përket detajeve që parashtron, sipas gjeneralit do t’i kalojë udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe do të presë urdhërin e tij.

Deklarata e gjeneralit Kim ishte një tjetër hap në retorikën mes Phenianit dhe Uashingtonit, që ka potencialin të çojë në përplasje vdekjeprurëse.

Po dje, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis i bëri një kërcënimin të ashpër Koresë së Veriut, duke thënë se regjimi duhet të ndërpresë çdo shqyrtim veprimesh që do të "çonin në fundin e regjimit dhe shkatërrimin e popullit”.

Sekretari Mattis tha se çdo veprim i Koresë së Veriut do të merrte një përgjigje shumëfish më të madhe nga SHBA, dhe se Pheniani do të humbiste çdo garë apo konflikt që ai do të fillonte. Sekretari i Mbrojtjes tha se ndonëse SHBA po kërkon një zgjidhje diplomatike, fuqia e kombinuar ushtarake e Amerikës dhe e aleatëve të saj është më e madhja në botë.

Të mërkurën, Presidenti Donald Trump deklaroi se arsenali bërthamor i SHBA “është shumë më i fortë dhe më i fuqishëm se kurrë më parë''. Ai i bëri komentet ndërkohë që Sekretari i tij i Shtetit Rex Tillerson u përpoq të zbutë krizën rreth Koresë së Veriut.

Në një seri komentesh në Twitter të mërkurën herët në mëngjes, Presidenti Trump vuri në dukje fuqinë e arsenalit bërthamor amerikan.

Ai ritheksoi gjithashtu kërcënimin e tij të bërë një ditë më parë, duke ripublikuar videon ku paralajmëronte se Peniani do të ndeshë ''në zjarr dhe furi që bota nuk e ka parë ndonjëherë më parë,” nëse bën përsëri kërcënime ndaj SHBA.

Zoti Trump shkruante se çështja e parë e rendit të tij të ditës si President ishte "rinovimi dhe modernizimi" i arsenalit bërthamor amerikan.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se nuk beson që ekziston ndonjë rrezik i menjëhershëm nga Koreja e Veriut për ishullin e Guamit në Paqësor, megjithë pretendimet e Phenianit se po shqyrton plane për “të krijuar një unazë zjarri” rrotull këtij ishulli, pjesë e komunuelthit amerikan.

Zoti Tillerson foli me gazetarët gjatë fluturimit në Guam të mërkurën, pas një ditë retorike të nxehtë midis Uashingtonit dhe Penianit. Sekretari i Shtetit qëndroi në ishull për një furnizim me karburant pas një vizite në Azi.

"Unë mendoj se presidenti po i dërgon një mesazh të fortë Koresë së Veriut në gjuhën që kupton Kim Jong Un, i cili nuk duket se e kupton gjuhën diplomatike", tha zoti Tillerson.

Në një deklaratë të lëshuar herët të mërkurën, Agjencia Shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, tha se forcat e armatosura po "shqyrtojnë me kujdes" një plan për sulm me raketa në Guam. Në bazat ushtarake amerikane në territorin e ishullit në Paqësor, besohet se është i vendosur arsenali më i madh bërthamor amerikan, jashtë Amerikës kontinentale.

Zhvillimet pasuan një ditë të ngarkuar me retorikë të ashpër ndërmjet Washingtonit dhe Phenianit. Presidenti amerikan, Donald Trump, bëri një paralajmërim të ashpër ndaj Koresë së Veriut, duke theksuar që nëse ajo vazhdon të kërcënojë Shtetet e Bashkuara "do të përballet me një zjarr dhe furi të tillë, që bota nuk e ka parë ndonjëherë."

"Mendoj se presidenti thjesht dëshironte të ishte i qartë për regjimin e Koresë së Veriut se SHBA ka aftësi të padiskutueshme për të mbrojtur veten, se SHBA do të mbrojë veten dhe aleatët. Mendoj se ishte e rëndësishme që ai të përcillte këtë mesazh për të shmangur çdo llogaritje të gabuar nga ana e tyre," tha zoti Tillerson.

GUAM, ZYRTARËT U JAPIN SIGURIME BANORËVE

Zyrtarët e zgjedhur në Guam, po sigurojnë banorët se territori i Shteteve të Bashkuara është i sigurt, pas pretendimeve të Koresë së Veriut se po shqyrton planin e saj për "sulm me raketa" në ishullin e rëndësishëm strategjik të Paqësorit.

Një zëdhënës i ushtrisë së Koresë së Veriut, citohet të ketë thënë se plani i sulmit "do të zbatohet në mënyrë të shumëfishte dhe të vazhdueshme në çdo moment", sapo të jetë dhënë urdhri nga Kim Jong Un.

Guvernatori i Guamit, Eddie Calvo, tha nj një fjalim në televizion se nuk ka ndonjë kërcënim për ishullin, por theksoi se "ai është i përgatitur për çdo mundësi".

Ai tha se "Guami është tokë amerikane...jo vetëm një bazë ushtarake" dhe se është siguruar nga Shtëpia e Bardhë se një sulm mbi Guamin do të konsiderohet si sulm mbi Shtetet e Bashkuara.

Madeleine Bordallo, e deleguar e zgjedhur e kongresit në Guam, shprehu po ashtu bindjen në aftësinë e Shteteve të Bashkuar për të mbrojtur ishullin pas kërcënimeve "tejet shqetësuese" të Koresë së Veriut, por i bëri thirrje presidentit Donald Trump që të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të zbutur tensionet.

DEKLARATA E PRESIDENTIT TRUMP

Presidenti Trump u tha të martën gazetarëve se udhëheqësi i Koresë së Veriut, po sillet në mënyrë kërcënuese që kur Shtetet e Bashkuara forcuan sanksionet ndaj shtetit të izoluar komunist dhe sigurua një votim të njëzëshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të dënuar Phenianin.

Duke folur në klubin e tij të golfit në New Jersey, presidenti Trump përsëriti paralajmërimin se Kim po rrezikon vendin e tij të varfër të përballet me "një zjarr dhe furi, sinqerisht me një fuqi që kjo botë nuk e ka parë kurrë më parë".

Presidenti i bëri komentet si reagim ndaj një njoftimi të gazetës “Washington Post” dhe televizionit NBC News, ku thuhej se zyrtarët amerikanë të zbulimit vlerësojnë që Koreja e Veriut ka prodhuar me sukses një mbushje bërthamore në përmasa të vogla, e cila mund të montohet në raketat e saj.

Nëse është e vërtetë, kjo nënkupton se Koreja e Veriut ka kaluar një prag të rëndësishëm në rrugën për t'u bërë një fuqi e plotë bërthamore.

Mediat, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të zbulimit, thonë se analiza që arrin në një përfundim të tillë, është kryer muajin e kaluar nga Agjencia e Zbulimit të Mbrojtjes.

Zyrtarët e Agjencisë nuk pranuan të komentojnë. As zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar nuk ka komentuar.

Ndërkaq, ministria e mbrojtjes e Japonisë vlerësoi në një raport të martën se është e mundur që Koreja e Veriut të ketë arritur miniaturizimin e armëve bërthamore dhe të ketë prodhuar mbushje bërthamore.

Presidenti Donald Trump dhe ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara thonë se sanksionet e reja kundër Koresë së Veriut janë të domosdoshme për të ndalur programin bërthamor të këtij vendi.

Në një koment në Twitter zoti Trump shkruante sot se: "pas shumë vitesh dështimi, vendet janë bërë bashkë për t'iu përgjigjur përfundimisht rreziqeve që paraqet Koreja e Veriut. Ne duhet të jemi të ashpër dhe vendimtarë,”shkruante presidenti amerikan.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley tha gjatë një interviste për rrjetin NBC se nuk është e sigurt nëse sanksionet do të funksionojnë. Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, nuk ka shprehur interes për t’u larguar nga programi bërthamor dhe balistik dhe vendi u ka mbijetuar sanksioneve të vendosura në të shkuarën.

Por ambasadorja Haley thotë se sanksionet e detyrojnë Kim Jung Unin të rishikojë “strategjinë e tij dhe të vendosë, duke i bërë pyetjen vetes, se nëse godet Shtetet e Bashkuara, a mendon se do të fitojë?

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG