Lidhje

SHBA, reforma për kujdesin shëndetësor


Me mbështetjen e fortë të Shtëpisë së Bardhë, republikanët në Senat po bëjnë një përpjekje të fundit për të reformuar kujdesin shëndetësor në Amerikë dhe për të shfuqizuar Ligjin e Kujdesit të Përballueshëm, të njohur edhe si Obamacare. Në korrik, Senatit i mungonte një votë e vetme, e cila nuk e lejoi të miratonte ligjin për reformën në kujdesin shëndetësor, një nga premtimet kryesore të Presidentit Trump.

Me afrimin e afatit të 30 shtatorit për miratimin e ligjit për kujdesin shëndetësor, udhëheqja republikane e Senatit po mbështet një propozim të ri që do të shpërbënte ligjin aktual Obamacare dhe do të transferonte fondet në të gjitha 50 shtetet amerikane për të krijuar programet e tyre të kujdesit shëndetësor.

"Ju mund të bisedoni me guvernatorin tuaj, i cili do t'ju dëgjojë sepse të paktën ata janë të interesuar për votën tuaj. Po përpiqem të transferoj paratë dhe autoritetin nga Uashingtoni më afër pacientit. Nëse besoni se qeveria më e mirë është ajo që është më afër njerëzve, atëherë pse mos të jetë kështu edhe me kujdesin shëndetësor dhe në fund, ne e dimë se si do përfundojë ky proces nëse nuk ndryshojmë asgjë. Ne do të kemi një sistem të kujdesit shëndetësor qeveritar në këtë vend që do ta dëmtonte buxhetin dhe ne do të fillojmë të kemi kufizime të shërbimeve që nuk janë parë kurrë më parë," tha Senatori Lindsey Graham.

Një senator republikan ka dalë kundër propozimit, duke e quajtuar atë një version më të lehtë të ligjit ekzistues, Obamacare.

Dy senatorë të tjerë republikanë kanë shprehur publikisht shqetësime rreth propozimit dhe mënyrës se si kolegët e tyre po përpiqen ta miratojnë me shpejtësi ligjin mbi kujdesin shëndetësor, i cili përfaqëson një të gjashtën e ekonomisë amerikane.

Ndërkohë, demokratët thonë se për të mundur propozimin e republikanëve urgjentisht duhet një reagim i fortë i publikut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG