Lidhje

Shtetet e Bashkuara planifikojnë pakësimin e trupave brenda vitit 2015


Shtetet e Bashkuara planifikojnë pakësimin e trupave brenda vitit 2015
Shtetet e Bashkuara planifikojnë pakësimin e trupave brenda vitit 2015

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, thotë se nëse buxheti i departamentit të tij nuk rritet më shumë se ç’pritet gjatë viteve të ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të detyrohen të pakësojnë forcat tokësore me 27 mijë trupa brenda vitit 2015. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Al Pesin, njofton nga Pentagoni.

Sekretari Gejts njoftoi se stafi i tij ka siguruar 150 miliardë dollarë nga kursimet, të cilat do të përdoren gjatë pesë vjetëve të ardhshme për të përballuar koston në rritje dhe për të financuar projekte të reja, të cilat përfshijnë një strukturë të re për zbarkim amfib për marinsat dhe për versionin e marinsave të avionit të ri luftarak amerikan.

Nga kursimet do të sigurohen para për investime të reja, përfshirë planin e forcës ajrore për të rifilluar prodhimin e një bombarduesi me rreze të gjatë veprimi, që mbart mbushje të zakonshme dhe bërthamore me të cilat mund të shpohen bunkerët. Po ashtu, do të mbështetet një plan i forcës tokësore për të blerë më shumë pajisje të teknologjisë së lartë për vëzhgim dhe komunikim si dhe planet e flotës detare për më shumë anije, aeroplanë luftarakë dhe avionë pa pilot.

Por me gjithë paratë e kursyera, Sekretari Gejts thotë se nëse buxheti i Departamentit të Mbrojtjes nuk rritet më shumë nga ç’është pritur gjatë viteve të ardhshme të shtrëngimeve buxhetore, ushtria amerikane do të zvogëlohet me 27 mijë trupa deri në vitin 2015, krahas zvogëlimit me 22 mijë trupa, të planifikuar më parë, dhe pakësimit të pritshëm të marinsave me 15 deri në 20 mijë pjesëtarë.

Sidoqoftë, edhe nëse pakësimet ndodhin pesë vjet më vonë, zoti Gejts thotë se ushtria amerikane do të ketë 40 mijë pjesëtarë më shumë se ç’kishte në vitin 2006, duke arritur në 1,4 milionë krahas një milion pjesëtarëve të Gardës Kombëtare dhe të njësive rezerviste. Sekretari i Mbrojtjes tha gjithashtu se përfshirja e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve në Afganistan pritet të përfundojë më 2014.

Plani i Sekretarit për tri vjet rritje minimale të buxhetit dhe më pas për dy vjet pa rritje është një përpjekje për të parandaluar shkurtimet më të thella në fushën e mbrojtjes që kërkojnë disa anëtarë të Kongresit të ri. Plani po ashtu përpiqet t’i shmanget financimit nga Kongresi të disa projekteve të shtrenjta që Sekretari Gejts nuk i do. Ai filloi punën për shkurtimin e buxhetit nëntë muaj më parë për t’u siguruar që me shumën prej 530 miliardë dollarësh të mundësohej zgjerimi i mëtejshëm në fushat kyçe, me gjithë recesionin ekonomik dhe deficitin buxhetor të qeverisë amerikane.

“Qëllimi ishte që, duke pakësuar shpenzimet, të siguroheshim që pjesa e buxhetit për llogaritë e investimeve, strukturën e forcave dhe kujdesin për popullin tonë të rritej me 2 deri në 3 përqind”.

Zoti Gejts tha gjithashtu se “shtrirja botërore dhe fuqia mahnitëse” e ushtrisë amerikane do të vazhdojë të lërë mjaft prapa cilindo kundërshtar të mundshëm.

“Ne ballafaqohemi me problemet që kemi me Iranin dhe Korenë e Veriut. Është e qartë se Kina dhe Rusia kanë programe tejet ambicioze ushtarake dhe se po modernizojnë ushtritë. Mbrojtja e Republikës është padyshim përgjegjësi e qeverisë federale dhe ne përballemi me një botë shumë të ndërlikuar”.

Sekretari Gejts e quajti propozimin e tij për buxhetin “të arsyeshëm, të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm” dhe tha se paraqet minimumin e nevojshëm për të mbrojtur vendin nga kërcënimet botërore. Departamenti i Mbrojtjes mund të zbatojë vetë një pjesë të planit, por shumë propozime duhet të miratohen nga Kongresi, një proces që është gjithmonë i gjatë dhe i debatueshëm.

XS
SM
MD
LG