Një numër më i madh njerëzish në shkallë globale i tremben përdorimit të forcës dhe influencës nga Shtetet e Bashkuara se sa kërcënimeve të ngjashme që bën Rusia apo Kina.
Këto janë përfundimet e një ankete të zhvilluar në pranverën dhe verën e 2016-ës nga organizata Pew Research mbi Pikëpamjet Globale. Analiza e përgjigjeve çon në përfundimin se 45% e mbi 27 mijë pjesëmarrësve në anketim në 26 vende e shohin forcën dhe influencën amerikane si kërcënim, krahasuar me 37% e të anketuarve që shohin kërcënim tek forca dhe influenca e Rusisë dhe 35% që tremben nga Kina.
Në listën e vendeve ku frika nga forca dhe influenca e Amerikës është më e madhe kryesojnë dy aleatë të SHBA në Azi: Koreja e Jugut dhe Japonia.
Në Korenë e Jugut, 67% e të anketuarve e rendisin Amerikën si kërcënim. Në Japoni kjo shifër arrin në 66%.
Meksika renditet e treta, me 64% të të anketuarve që shprehen të shqetësuar dhe që e konsiderojnë forcën dhe influencën amerikane një kërcënim madhor. Anketa të mëparshme të organizatës Pew tregonin se opinioni i meksikanëve për SHBA pësoi rënie drastike pas zgjedhjes së zotit Donald Trump si president në 2016.
Të dhënat e botuara nga organizata Pew në tetor 2018 tregojnë se vetëm 6% e meksikanëve shprehin besim tek udhëheqja e Presidentit Trump, kryesisht pasi ka një rezistencë të fortë ndaj politikave të administratës aktuale amerikane për të ndërtuar një mur në kufi me Meksikën.
Në katër vende të tjera -- Tunizi, Argjentinë, Brazil dhe Indonezi -- më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në anketim e shohin forcën dhe influencën amerkane si kërcënim.
Rreth 49% e të anketuarve në Francë dhe Gjermani e shohin Amerikën si kërcënim.
Anketuesit e organizatës Pew e cilësojnë rritjen e numrit të atyre që e shohin me frikë e shqetësim Amerikën si ndryshimin më të madh të regjistruar nga kjo anketë mbi opinionin global mbi të gjitha kërcënimet.
Në 2013, rreth 25% e të anketuarve nga 22 vende e konsideronin forcën dhe influencën e Amerikës si kërcënim. Por në vitin 2017, pas zgjedhjes së zotit Trump si president, kjo shifër kishte arritur në 38%.
Politikat e sigurisë nën Presidentin Trump janë mbështetur mbi atë që zyrtarët e kanë cilësuar si një epokë e re e konkurrencës mes fuqive të mëdha, duke i etiketuar Rusinë dhe Kinën si kërcënimet më të mëdha të Amerikës dhe botës.
Që në ditën e parë të marrjes së përgjegjësive, Sekretari i Mbrojtjes në Detyrë, Pat Shanahan tha se shqetësimi i tij kryesor ishte "Kina, Kina, Kina".
Por bazuar në rezultatet e anketës, shumë njerëz në botë nuk kanë të njëjtën pikëpamje.
Polonia ishte e vetmja ndër vendet e anketuara ku më shumë se gjysma e pjesëmarrësve shihnin influencën dhe forcën e Rusisë si një kërcënim madhor.
Të anketuarit duket se ishin më të shqetësuar për Kinën, megjithëse vetëm në katër vende Kina u veçua si kërcënim nga më shumë se 50% e të anketuarve.
Rreth 82% e të anketuarve në Korenë e Jugut e shohin influencën dhe forcën e Kinës si një kërcënim madhor, pasuar nga 69% në Japoni, 56% në Filipine dhe 51% në Australi.
Në Shtetet e Bashkuara, 50% e të anketuarve e shohin forcën dhe influencën e Rusisë si kërcënim, krahasuar me 48% e atyre që kanë të njëjtën pikëpamje për Kinën.
Në fund të muajit të kaluar, raporti vjetor i agjencive të zbulimit, i titulluar Analizë e Kërcënimeve Globale, paralajmëron se po bie influenca e Amerikës në shkallë botërore, edhe në radhët e vendeve aleate dhe se Rusia dhe Kina po përpiqen të mbushin këtë vakum.
Shumë aleatë të Shteteve të Bashkuara, thotë raporti, po "përpiqen të fitojnë më shumë autonomi nga Uashingtoni, pasi po ndryshojnë perceptimet e tyre mbi politikat amerikane të sigurisë dhe tregtisë".
Anketa e organizatës Pew u zhvillua me 27,612 pjesëmarrës në 26 vende nga 14 maj deri më 12 gusht 2018.
Në listën e kërcënimeve globale renditeshin ndryshimet klimatike, Shteti Islamik, sulmet kibernetike dhe programi bërthamor i Koresë së Veriut.
Facebook Forum