Lidhje

Marrëveshje SHBA-Katar kundër terrorizmit


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson pritet të shkojë sot në Arabinë Saudite nga Kuvajti, ku shënoi fitoren e parë diplomatike në përpjekjen e tij për të zgjidhur bllokadën një muajshe të vendeve të Gjirit Persik ndaj Katarit.

Duke qëndruar pranë homologut të tij nga Katari, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson njoftoi të martën arritjen e një memorandumi mirëkuptimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Katarit për ndërmarrjen e hapave për të frenuar financimin e terrorizmit:

"Unë jam këtu në Katar me të njëjtën frymë që Presidenti Trump në muajin maj tregoi në Riad. Shtetet e Bashkuara kanë një qëllim: zhdukjen e terrorizmit nga faqja e dheut."

Më 5 qershor, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Egjipti dhe të tjerë shkëputën lidhjet diplomatike dhe vendosën një bllokadë ekonomike ndaj Katarit. Grupi i vendeve i udhëhequr nga Arabia Saudite akuzoi Katarin për mbështetjen e terrorizmit dhe i dha Dohës një listë prej 13 kërkesash.

Megjithëse Presidenti Donald Trump duket se po mban anën e Arabisë Saudite, duke veçuar Katarin për financimin e terrorizmit, shumica e analistëve thonë se sekretari Tillerson ka ruajtur neutralitetin ndaj krizës.

Suksesi në zgjidhjen e krizës rajonale mund të bashkojë Sekretarin Tillerson dhe Presidentin Trump, tha për Zërin e Amerikës, Aaron David Miller nga Qendra Wilson:

"Nëse Tillerson do të gjente një zgjidhje për këtë krizë pa i bërë Sauditët dhe Katarin të ndjehen të turpëruar, atëherë unë mendoj se presidenti do ta mirëpresë dhe mbështesë atë".

Analisti Miller thotë se ai beson se Tillerson, një ish President i kompanisë Exxon, ka aftësitë për të negociuar një marrëveshje.

"Tillerson e njeh këtë pjesë të botës, veçanërisht rajonin e Gjirit. Kështu që unë mendoj se njerëzit e respektojnë atë, ai është një figurë e respektuar sa i përket rolit të tij si Sekretar Shteti".

Sekretari Tillerson ka në plan të dëgjojë sot anën tjetër të mosmarrëveshjes gjatë vizitës në qytetin saudit të Xhedas.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG