Lidhje

Rusi: Agjencitë e birësimeve, të shqetësuara për fatin e jetimëve


Ligji i birësimeve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ka ngjallur debate. Duma ruse miratoi një ligj javën e kaluar sipas të cilit ndalen birësimet e fëmijëve rusë nga prindër amerikanë. Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar se do të shqyrtojë me kujdes këtë ligj që sipas tij ka nota emocionale, por që e sheh si një përgjigje të përshtatshme ndaj një lëvizjeje jo të drejtë nga Shtetet e Bashkuara.

Debati ka nisur pasi Kongresi amerikan ka miratuar një ligj ku ndalon rusët e dyshuar si shkelës të të drejtev të njeriut që të pajisen me viza amerikane.

Ligji rus për ndalimin e adoptimeve të fëmijëve rus nga prindër amerikanë ka shtuar zërat e liberalëve të cilët thonë se fëmijët janë viktimë e politikës. Disa zyrtarë qeveritarë, përfshi edhe ministrin e jashtëm Sergei Lavrov, kanë shprehur rezerva ndaj ligjit.

Agjencitë e adoptimeve në Rusi që ndihmojnë prindërit amerikanë të birësojnë fëmijët rusë, shprehin shqetësimin se nëse ligji miratohet atëherë, ata duhet të ndalin veprimtarinë e tyre në Rusi, duke lënë shumë fëmijë që janë pranë krijimit të një familjeje, nëpër spitale apo qendra riedukimi.
Galina Sigayeva punon me agjencinë e birësimeve “Shpresa e re e Krishterë”:

“Vetëm fëmijët që janë refuzuar për t’u birësuar nga rusët janë dërguar për birësim në Amerikë. Pra këta fëmijë fillimisht refuzohen nga prindërit e tyre, më pas pasi refuzohen nga një numër prindërish adoptivë rusë, mund t’u ofrohen për birësim shtetasve të huaj. Këta janë fëmijë të sëmurë, me diagnoza të komplikuara.”

Rusia është vendi i tretë mbas Kinës dhe Etiopisë për numrin e birësimeve në Shtetet e Bashkuara. Vitin e kaluar 962 fëmijë rusë nga jetimoret u birësuan nga prindër amerikanë. Më shumë se 45 mijë fëmijë rusë kanë kanë krijuar familjen e tyre me prindërit adoptivë në Amerikë mbas rënies së komunizmit në vitn 1991.

Ligji për ndalimin e birësimeve mban emrin e dy vjeçarit rus Dima Yakolev, të cilin babai adoptiv amerikan e harroi në makinë ku ai gjeti vdekjen nga i nxehti dhe asfiksia. Më pas babai adoptiv i dy vjeçarit u la i lirë në Shtetet e Bashkuara dhe kjo nxiti në Rusi forcimin e masave të birësimeve. Por zonja Sagijeva thotë se raste si ky nuk duhet t’i bëjë ligjvënësit të harrojnë të ardhmen e zymtë që i pret këta fëmijë nëse nuk birëshen në familje të reja.

“Vitin e klauar 1300 fëmijë u vranë në Rusi, dhe 11 mijë të tjerë janë zhdukur. Ndaj përpara se të na thonë se nuk duhet të birësojmë fëmijët në Amerikë se atje është situatë e rrezikshme, le të mendojnë se si është jeta e tyre këtu”.

Ligji për ndalimin e adoptimeve nga prindër amerikanë, do të hidhet në votë në Senatin rus të mërkurën në datën 26 dhjetor.
XS
SM
MD
LG