Lidhje

Administrata Trump dhe marrëdhëniet me Rusinë

  • Zllatica Hoke

Administrata Trump i doli në mbrojtje vendimit të Presidentit për të pranuar mohimin që Presidenti rus Putin, i bëri ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Të dielën, ndihmësit e zotit Trump theksuan deklaratën e Presidentit se ai mbështet gjetjet e komunitetit amerikan të zbulimit lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në politikën amerikane.

Presidenti amerikan Trump dhe ai rus Putin u takuan jozyrtarisht këtë fundjavë në Vietnam, ndërsa merrnin pjesë në samitin ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit. Të shtunën në një konferencë shtypi zoti Trump tha se i besonte gjetjet e agjencive amerikane të zbulimit, sipas të cilave Rusia ishte përpjekur të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve amerikane. Por ai tha gjithashtu se ishte koha për të kaluar në çështje më të rëndësishme.

"Mendoj se të paturit e Rusisë në një qëndrim miqësor dhe jo të luftojmë vazhdimisht me ta, kjo përbën pasuri për botën, për vendin tonë dhe nuk është diçka e keqe", tha presidenti Trump.

Zoti Trump tha se paraardhësi i tij Barak Obama dhe sekretarja e tij e shtetit Hillary Clinton, donin të përmirësonin marrëdhëniet me Rusinë, përpjekje që sipas tij, nuk rezultuan të suksesshme. Në disa komente mediatike të dielën zyrtarët e administratës Trump përsëritën se Presidenti dëshiron të bashkëpunojë me Rusinë për çështje me interes botëror.

"Mendoj se presidenti u fokusua në çështje shumë të rëndësishme si Koreja e Veriut dhe Siria, për të cilat duhet të bashkohemi dhe të kemi qëllime të përbashkëta me Rusinë. Kjo është është më e rëndësishmja tani", tha Steve Mnuchin, Sekretari amerikan i Thesarit.

Sipas zyrtarëve, udhëtimi i Presidentit Trump në Azi u përqendrua tek siguria globale dhe lufta kundër terrorizmit.

"Ky president ka në këtë detyrë nëntë apo dhjetë muaj. Ne kemi trashëguar një rrëmujë, përfshirë një Kore Veriu me armë bërthamore, marrëveshjen me Iranit, apo shumë pika të nxehta anembanë globit që ai po përpiqet t’i përmirësojë në emër të të gjithëve, kur ndodhet këtu apo në udhëtime jashtë vendit”, tha Kellyanne Conway këshilltare e presidentit Trump.

Por ish drejtori i CIA-s John Brennan dhe ish drejtori i zbulimit kombëtar James Clapper thanë për CNN të dielën se Presidenti Trump po manipulohet nga udhëheqësit rusë dhe kinezë. Sipas tyre do të ishte e rrezikshme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të supozohej se Rusia do të vepronte për të mirën botërore.

Ata përsëritën qëndrimin e një republikani të lartë në Senatin amerikan John McCain, i cili gjatë një deklarate të shtunën kritikoi presidentin Trump pse kërkoi bashkëpunimin e presidentit Putin për Sirinë. Zoti McCain tha se Moska është pengesa më e madhe për një zgjidhje politike në Siri, sepse ajo mbështet atë që ai e quajti, regjim "vrasës" të vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG