Lidhje

Kryengritësit në Jemen pranojnë planin për armëpushim


Armëpushimi humanitar që duhet të hyjë në fuqi të martën synon të sigurojë furnizimin e mijëra banorëve në zonat e luftimeve.

Luftëtarët huthi në Jemen, thanë se kanë pranuar planin e propozuar nga Arabia Saudite për një armëpushim humanitar pesëditësh që do të hyjë në fuqi të martën.

Deklarata për pranimin e armëpushimit u bë vetëm pak orë pasi që avionët e koalicionit të drejtuar nga sauditët bombarduan rezidencën e ish presidentit të Jemenit Ali Abdullah Saleh në kryeqytetin Sana. Saleh nuk besohet të ketë qenë në shtëpi në kohën e sulmeve ajrore.

Gjatë javës, Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite, shpallën të martën si ditë të fillimit të armëpushimit pesëditësh në Jemen ku koalicioni i drejtuar nga sauditët është duke kryer sulme ajrore kundër kryengritësve huthi. Konflikti ka lënë mijëra qytetarë të Jemenit pa furnizime elementare.

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, u bëri thirrje mbështetësve të kryengritësve huthi që të nxisin pranimin e armëpushimit. Kryengritësit shiit janë aleatë të ish presidentit Saleh dhe besohet gjerësisht se janë të mbështetur nga Irani.

Të shtunën avionët e koalicionit goditën provincën Saada në Jemenin veriperëndimor, ndërkohë që sulmet ajrore goditën edhe aeroportin ndërkombëtar në kryeqytet në ditën e 45-të të luftimeve kundër kryengritësve huthi.

Sekretari Kerry tha se kushtet e armëpushimit janë shumë të qarta.

“Mos qëlloni. Mos lëvizni për t’u ri pozicionuar dhe për të përfituar nga kjo. Ky është një armëpushim humanitar dhe ata duhet të sillen në përputhje me të”, tha ai.

Diskutimet për planin ndodhën në të njëjtën ditë kur media shtetërore saudite tha se koalicioni u ka dhënë ultimatum banorëve të Saadas, që të largohen nga zona. Koalicioni e shpalli zonën e kontrolluar nga kryengritësit huthi “shënjestër ushtarake”.

XS
SM
MD
LG