Lidhje

SHBA-të dhe familja kërkojnë drejtësi për vëllezërit Bytyçi


Ambasada amerikane në Beograd tha të martën se drejtësia për tre vëllezërit Bytyçi, shtetas amerikanë, të vrarë në vitin 1999, është përparësi në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë vrasjen e tyre.

Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se “8 korriku është përvjetori i vrasjes së Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyçit. Ndonëse kanë kaluar 21 vjet, ka pasur pak përparim në hetimin e duhur dhe të plotë të vrasjes së këtyre qytetarëve amerikanë pas arrestimit dhe lirimit të tyre në duart e njësive të posaçme të policisë serbe në vitin 1999”.

Të trë vëllezërit Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë. Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë vdekjen e tyre dhe as të ndalen së kërkuari drejtësi”, thuhet në komunikatën e ambasadës duke u bërë thirrje autoriteteve serbe që të zgjidhin këtë çështje.

”Vënia e drejtësisë për familjen e vëllezërve Bytyçi mbetet përparësi në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë”, thuhet në komunikatë.

Familja Bytyçi në një deklaratë të shpërndarë të mërkurën tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç i ka premtuar për më shumë se gjashtë vjet qeverisë amerikane dhe familjes se do të zgjidhë këtë çështje.

“Privatisht ai ka nxjerrë emrin e Goran Radosavljeviçit. Vlastimir Gjorgjeviç është përgjegjës po ashtu. Presidenti Vuçiç i ka provat dhe mundësitë. E vetmja gjë që i mungon është vullneti. Vuajtja e familjes sonë nuk është e vetmja vuajtje që ai injoron. Presidenti Vuçiç mbron dhe madhëron shumë kriminelë të tjerë të luftës. Bota, përfshirë administratën e presidentit Trump, e di se kjo është e vërtetë. Ata thjesht qëndrojnë të mpirë përpara këtyre fakteve. Ne nuk jemi të shtangur. Ne nuk do të harrojmë”, thuhet në deklaratë.

Familja Bytyçi, shpreh dëshirën që bisedimet Kosovë – Serbi të kenë sukses, sepse popujt e të dyja vendeve meritojnë një të ardhme më të mirë.

“Në shpresojmë që akuzat ndaj udhëheqësve të Kosovës si presidenti (Hashim) Thaçi dhe Kadri Veseli, të mos e pengojnë procesin e ripajtimit. Po aq e rëndësishme, ato nuk duhet të lënë nën hije faktin që qeveria e (Sllobodan) Millosheviçit ishte një regjim kriminal që ishte përgjegjës për mizoritë më të rënda në Evropë që nga Holokausti. Ushtria Çlirimtare e Kosovës e drejtuar nga Thaçi e Veseli, ka punuar me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për të penguar mizori edhe më të mëdha”, thuhet në deklaratën e familjes Bytyçi.

Në tetor të vitit 2019 Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.

Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në Serbi në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG