Lidhje

Grenell në Beograd: Marrëveshja e Washingtonit – do të shndërrohet në vende pune


Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, tha të martën në Beograd se dakordimi i arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë “nuk është vetëm fjalë në letër”.

Zoti Grenell i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd ku mbërriti të hënën në mbrëmje pas vizitës në Prishtinë si pjesë e një delegacioni, që drejtohet nga shefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe shefja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed.

Grenell në Beograd: Marrëveshja e Washingtonit – do të shndërrohet në vende pune
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:36 0:00

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë u pajtuan të martën në Beograd që të krijojnë një grup punues, i cili do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së 4 shtatorit, si dhe të ofrojnë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Ambasadori Grenell ritheksoi se marrëveshja nuk do të ishte bërë e mundur pa presidentin Donald Trump i cili sipas tij besoi se mund të bëhet diçka ndryshe.

Ajo që bëmë në Uashington duket e madhe dhe është e madhe. Por ne nuk kemi mbaruar. Kjo simbolikë është e rëndësishme, por gjithçka ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës. Ne duam që populli i Serbisë të na kërkojë llogari, se fjalët në letër nuk janë të mjaftueshme derisa të krijohen vende pune masive, zhvillim ekonomik, shpresë dhe familje që qëndrojnë në këtë rajon”, tha ai duke nënvizuar se marrëveshja e Washingtonit do të përmbushet.

"Këto nuk janë vetëm fjalë në letër. Këto janë punë. Punë për rajonin, punë për njerëzit. Dhe kjo është ajo në të cilën Presidenti (Donald) Trump ka besuar që nga fillimi”, tha ambasadori Grenell.

Zoti Boehler, përgëzoi Odat ekonomike të të dyja vendeve për vendime që sic tha ai “janë për qytetarët dhe jo politikën”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, tha se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë do të sjellë qëndrueshmëri në rajon.

"Kjo qasje bëri të mundur të ulemi në Washington, për të nënshkruar marrëveshjen dhe përsëri kjo është diçka që unë mendoj, ju e dini, historia do ta tregojë dhe kjo do të mbahet mend si një moment historik në sjelljen e qëndrueshmërisë në rajon”, tha ai.

Kryetari i Odës ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se ekipi i përbashkët do të përqendrohet në marrëveshjen e Washingtonit në infrastrukturë, energji dhe turizëm.

"Ekziston një momentum për të dy ne, për Markon dhe për mua, që komunitetet e biznesit të të dyja vendeve të punojnë së bashku për të krijuar disa vende të reja pune dhe për të krijuar disa projekte të reja që do të sjellin perspektivë në rajon”, tha ai.

Shefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler përgëzoi Odat ekonomike të të dyja vendeve për vendime që siç tha ai “janë për qytetarët dhe jo politikën”.

Kjo korporatë ndërkaq hapi edhe zyrën e saj në Beograd e cila pritet të shërbejë për tërë rajonin.

Ambasadori Grenell dhe zyrtarët e lartë amerikanë zhvilluan takim edhe me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiç, ku nënshkruan edhe dokumentin me të cilin sigurohet zbatimi i marrëveshjes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se pala serbe do të përmbushë të gjitha pikat e dakorduara në Shtëpinë e Bardhë. Por, në një intervistë më agjencinë e lajmeve Reuters, ai minimizoi shpresat se marrëveshja e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, mund të çojë së shpejti në marrëveshje politike me Kosovën.

Ai e përshkroi marrëveshjen si një hap i madh në drejtimin e duhur por tha se ka një rrugë të gjatë deri te normalizimi politik.

Mendoj se marrëveshjet e tilla janë shumë të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe për t’i zgjidhur, njëherë e përgjithmonë, problemet tona, për të pasur të ardhme të qartë për fëmijët tanë”, tha presidenti serb.

Delegacioni amerikan qëndroi të hënën në Prishtinë ku zoti Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila, siç thuhet, garanton zbatimin e projekteve që dalin nga dakordimi i 4 shtatorit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell, në nderim të kontributit të për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori Grenell tha se të hënën në Prishtinë se vizita e delegacionit amerikan është dëshmi e përkushtimit për marrëveshjen e nënshkruar në Ëashington.

Ne nuk duam fjalë boshe, ne duam t’u tregojmë qytetarëve të Kosovës se cilët janë aleatët më të mëdhenj, se ne qëndrojmë me ju dhe mund të ecim përpara me zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori Grenell, duke theksuar se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë do të ndryshojnë peizazhin politik të rajonit.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, shkroi të martën në rrjetet sociale se vizita e djeshme ishte e paparë deri më tani. “Katërmbëdhjetë pjesëtarë (të delegacionit) që prezantuan 6 agjenci amerikane vizituan Prishtinën për të theksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, qytetarët e saj dhe për marrëveshjen historike të Shtëpisë së Bardhë, që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.

Ambasadori Kosnett theksoi se lidhjet e forta që do të krijohen përmes projekteve të shumta do të çojnë në qindra vende të reja të punës për të rinjtë.

“Gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, mezi presim të punojmë me partnerët tanë në qeverinë e Kosovës dhe sektorin privat për të zbatuar plotësisht zotimet e bëra në marrëveshjen e Washingtonit”, shkroi ambasadori Kosnett.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG