Lidhje

Përpjekje për të notuar nga Kuba në Florida


Notarja amerikane Diana Nyad, e cila mbushi sot 63 vjeç, ndërpreu udhëtimin e saj për shkak të një stuhie dhe pickimeve të kandilëve të detit

Notarja amerikane e distancave të gjata Diana Nyad u detyrua të braktiste përpjekjen e saj për të përfunduar notimin 166 kilometra të gjatë, nga Kuba për në Florida. Ajo mbushi sot 63 vjeç.

Tre ditë pas largimit nga Havana, Diana Nyad ndërpreu udhëtimin e saj mëngjesin e djeshëm, pas një notimi rraskapitës, duke u ndeshur me det të trazuar dhe pickime të kandilëve të detit. Ajo e përshkoi pjesën e mbetur të udhëtimit për në Key West, të Floridës, në bordin e anijes së ndihmës, duke notuar për një distancë të shkurtër përfundimtare drejt një grupi mbështetësish që e prisnin.
Diana Nyad mbushi sot 63 vjeç. Ajo ka bërë tre përpjekje të tjera për të notuar përgjatë ngushticës së Floridës dhe thotë se kjo ka të ngjarë të jetë përpjekja e saj e fundit.

"Qëndroj këtu krenare. Mendoj se është si çdo gjë tjetër, kur del në pension apo heq dorë nga diçka ekstreme, është e vështirë për t’u pranuar. Kjo do të jetë gjëja e vështirë për mua. Por kur po notoja dje, kisha gati fjalime të planifikuara për në breg dhe tani po kuptoj që ato janë të njëjtat fjalime, si kur arrin t’ia dalësh mbanë ashtu edhe kur nuk arrin. Ishte një udhëtim, një udhëtim intensiv."

Notarja Diana Nyad shpresonte të bëhej personi i parë që notonte përgjatë ngushticës së Floridës pa një kafaz mbrojtjeje nga peshkaqenët. Ekuipazhi shoqërues i saj përdori pajisje për lëshimin në ujë të një rryme elektrike jo shumë të fuqishme për të larguar peshkaqenët.

Notarja australiane Susie Maroney e përshkoi distancën e ngushticës me sukses në vitin 1997, por ajo përdori një kafaz mbrojtës ndaj peshkaqenëve.
XS
SM
MD
LG