Lidhje

Sekretari Tillerson fillon vizitën disaditëshe në Evropë


Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara nga Evropës dhe se partneriteti i Shteteve të Bashkuara me Bashkimin Evropian mbështetet në vlerat e përbashkëta dhe synimet e përbashkëta për sigurinë dhe përparimin në të dyja brigjet e Atlantikut.

Ai i bëri këto komente pas takimit me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, në fillim të vizitës së tij disaditëshe në Evropë.

Ai tha se me zonjën Mogherini diskutoi një varg çështjesh që lidhen me Korenë e Veriut, Iranin e Sirinë.

Zonja Mogherini tha se pjesë e diskutimeve ishte edhe Ballkani Perëndimor dhe perspektiva evropiane e tij.

Sekretari Tillerson, paralajmëroi para vizitës se do të konfirmojë përkushtimin "e hekurt" të Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s gjatë vizitës së tij në Belgjikë, Austri dhe Francë gjatë kësaj jave.

I përballur me raportimet e disa medieve se Shtëpia e Bardhë po e shqyrton zëvendësimin e tij me shefin e CIA-s, Mike Pompeo, sekretari Tillerson i cilësoi shkrimet "qesharake". Presidenti Donald Trump, poashtu shkroi në twitter se sekretari "Tillerson nuk do të largohet".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, hodhi poshtë spekulimet mbi " pasigurinë" e sekretarit Tillerson si një shpërqendrim, duke theksuar se aleanca transatlantike "dhe ministrat e NATO-s, janë në gjendje të përqendrohen në detyrat kryesore të punës që duhet të bëjmë, pavarësisht spekulimeve dhe thashethemeve".

Zoti Stoltenberg poashtu vlerësoi përkushtimin personal të sekretarit Tillerson ndaj NATO-s. Zoti Tillerson do të takohet me zotin Stoltenberg për të diskutuar një varg çështjesh të sigurisë globale.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara në NATO, ish senatori republikan, Kay Bailey Hutchison, tha se nuk ka ndryshim planesh për bisedimet dyditëshe që fillojnë të martën në Bruksel ndërmjet sekretarit Tillerson dhe ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Të martën në Bruksel në kuadër të vizitës së tij të shtatë në Evropë që kur mori postin e krye diplomatit amerikan, sekretari Tillerson do të ketë edhe një drekë pune me ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së dhe do të takojë zyrtarët belgë për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, strategjinë në Afganistan dhe mposhtjen e të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Një zyrtar i lartë i departamentit të shtetit tha se sekretari Tillerson do të ritheksojë mesazhin qendror të presidentit Trump për "përgjegjësinë e përbashkët" në Evropë dhe agjendën globale që përfshin Korenë e Veriut, Sirinë dhe çështjet lidhur me Rusinë. Presidenti në mënyrë të përsëritur u ka bërë thirrje vendeve të NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtjen e ndërsjellë

Nga Brukseli, sekretari Tillerson do të shkojë në Vjenë për takimin vjetor të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, me theks në kontrollin e armëve dhe të drejtat e njeriut dhe siç tha zyrtari i lartë, një mesazh mbështetjeje për sovranitetin e Ukrainës.

Zyrtari tha se ndalesa e tij e fundit do të jetë në Paris "ku kemi një bashkëpunim shumë të veçantë dhe të thellë me francezët në një agjendë globale që përfshin çështjet që kanë të bëjnë me Iranin, Sirinë, Libanin, Libinë, Korenë e Veriut dhe Sahelin".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG