Lidhje

Presidenti Trump e cilëson Gjermaninë "peng" të Rusisë


Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi publikisht dhe ashpër Gjermaninë në fillim të takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Bruksel.

Kritikat e zotit Trump i drejtoheshin mbështetjes së Gjermanisë ndaj një marrëveshjeje me Rusinë për gazin e Detit Baltik.

"Po ta shohësh me kujdes, Gjermania është bërë peng i Rusisë, duke mbyllur uzinat e qymyrgurit dhe reaktorët bërthamorë. Fakti që ajo po merr aq shumë naftë dhe gaz nga Rusia mendoj se është diçka që NATO-ja duhet ta shikojë me kujdes. Mendoj se është diçka shumë e pavend. Unë dhe ju jemi dakord që është e pavend. Nuk e di se çfarë mund të bëhet tani, por sigurisht nuk duket se ka kuptim që ata t’i paguajnë Rusisë miliarda dollarë dhe tani ne të na duhet t’i mbrojmë nga Rusia,” tha Presidenti Trump.

Ndërkohë, gjatë dhe pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s reagoi ndaj kritikave, duke theksuar se anëtarët e NATO-s kanë qenë në gjendje të punojnë së bashku, pavarësisht nga dallimet mes tyre:

"Ne jemi më të fortë së bashku sesa të ndarë. NATO-ja duhet të jetë e fortë për të mbrojtur aleatët. Ne do të forcojmë mbrojtjen kolektive, që do të thotë se trupat e SHBA, trupat kanadeze, trupat evropiane do të bëjnë më shumë së bashku".

Shkëmbimi dramatik i fjalëve midis Presidentit Trump dhe zotit Stoltenberg vendosi tonin për atë që pritej të ishte një ditë e tensionuar takimesh me udhëheqësit e aleancës ushtarake.

Zoti Trump pritet të vazhdojë të përplaset me aleatët e NATO-s për çështjen e shpenzimeve të tyre ushtarake gjatë takimit të nivelit të lartë, i cili vjen në një klimë marrëdhëniesh të tensionuara midis presidentit amerikan dhe aleatëve më të afërt të Shteteve të Bashkuara.

REAGOJNË MERKEL, STOLTENBERG

Kancelarja Merkel më vonë iu përgjigj kritikave të zotit Trump, duke thënë se Gjermania, një nga kontribuesit më të mëdhenj me trupa në misionet e NATO-s, është e lirë nga kontrolli rus që nga rënia e Murit të Berlinit. Ajo kujtoi rininë e saj në Gjermaninë Lindore të dominuar nga sovjetikët dhe tha se ishte "shumë e lumtur që sot vendi është i bashkuar në liri.” “Mund të themi se për shkak të kësaj, ne mund të hartojmë politikat tona të pavarura dhe të marrim vendimet tona të pavarura”, tha ajo.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg u tha gazetarëve se zoti Trump kishte përdorur një "gjuhë shumë të drejtpërdrejtë", por të gjithë aleatët e NATO-s janë dakord se kostoja e shpenzimeve të mbrojtjes duhet të bjerë mbi të gjithë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG