Lidhje

SHBA: Dhuna mes të rinjve


Një studim i Qendrës Amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve thotë se dhuna është shkaktari numër dy i vdekjeve të amerikanëve mes moshës 10 dhe 24 vjeç. Studiuesit thonë se sjelljet e dhunshme mund të fillojnë herët në fëmijëri dhe vazhdojnë deri në një moshë më të madhe. Ky problem është veçanërisht i hapur ne rajonet urbane dhe komunitetin afrikano-amerikan.

Si në rrugë ashtu edhe në oborret e shkollave, dhuna mes të rinjve afrikano-amerikanë është në rritje. Ndërsa dhuna mes të rinjve në nivel kombëtar ka shënuar rënie që nga viti 2004, Qendra Amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve thotë se fëmijët afrikano-Amerikanë përfaqësojnë shumicën dërrmuese të viktimave dhe autorëve të krimit.

“Unë kam parë se si shokët e mi kanë humbur jetën, janë qëlluar para syve të mi. I kam mbajtur në duar ndorkohë që ata vdisnin”.

Tony Lewis Jr. i kupton pasojat tragjike të dhunës mes të rinjve në Uashington. Ai u rrit në lagjen me nivel të lartë të krimit, Hanover Place. Kur ishte 9 vjeç, babai i tij u dënua me burgim të përjetshëm për rolin e tij në shpërndarjen e kokainës.

“Në këto lagje shumë njerëz u përfshinë në aktivitete kriminale sepse këto lagje vuanin nga varfëria. Dhe bashkë më krimin vjen edhe dhuna”.

Zoti Lewis thotë se dhuna mes të rinjve afrikano-amerikanë vjen edhe nga mungesa e mundësive për shkollim. Ai thotë se ka nevojë të madhe që këta të rinj të këshillohen nga njerëz me moshë më të madhe në mënyrë që të ndryshojnë sjelljet e tyre të dëmshme.

“Fëmijët po bëhen më të pamëshirshëm ndaj njëri-tjetrit. Ata përgjigjen me dhunë në vend që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe bashkëpunimit”.

Drejtori i një shkolle fillore J. Harrison Coleman ka filluar një program për studimin e arsyeve se pse të rinjtë përdorin dhunën për zgjidhjen e konflikteve.

“Gjyshja më tha godite atë përndryshe ajo do të të rrahë. E godita por nuk u ndjeva mirë për atë që bëra”.

“Në vend të përdorimit të dhunës, ne duam t’u mësojmë atyre mënyra tjera për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, pa përdorur dhunë”.

Nipi i Wilmer White, Ricardo është në klasën e dytë.

“Është e rëndësishme që prindërit dhe gjyshërit të kenë një rol më pozitiv te fëmijët. Të zhvillojnë më shumë aktivitete me fëmijët dhe nipat”.

Mësuesja Diane Woods beson se programet për ndërmjetësim mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

“Prania a një personi, një miku, i cili mund të ndihmojë në uljen e tensioneve është e rëndësishme sepse njerëzit me moshë të madhe nuk mund të jenë pranë fëmijëve gjatë gjithë kohës. Mund të ndodhin gjëra të ndryshme në komunitet, por është e rëndësihme të mësohet se si të komunikohet pa përdorë dhunën”.

Në rrugët e lagjes, Tony Evans po përpiqet të bëjë punën e paqebërësit.

Rajoni rreth lagjes Hanover Place tani është një mjedis më i sigurt se ç’ishte dhjetëra vite më parë. Aktivistët e komunitetit si Tony Lewis dhe të tjerë thonë se ata do të vazhdojnë përpjekjet për të ulur nivelin e dhunës mes të rinjve në kryeqytetin e vendit.
XS
SM
MD
LG