Lidhje

SHBA: 150 vjet nga Deklarata e Çlirimit


150 vjet më parë, trupat e Unionit dhe të Konfederatës u përballën në Lumin Antietam të Merilendit dhe Unioni arriti një fitore të madhe në Luftën Civile. Disa historianë mendojnë se kjo fitore ndryshoi kursin e historisë amerikane. Sepse pesë ditë më pas, Presidenti Abraham Lincoln nxorri Deklaratën e Çlirimit, e cila i dha fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Në përmendoren që mban emrin e presidentit të 16 amerikan, qindra njerëz ishin mbledhur këto ditë për të reflektuar mbi të kaluarën e vendit.

Në shkallët e Përmendores së Linkolnit ishin mbledhur shumë njerëz për të përkujtuar 150-vjetorin e Deklaratës së Çlirimit.

Kongresmeni John Lewis është bir fermerësh dhe stërgjyshërit e tij ishin skllevër. Ai është fitues i Medaljes Presidenciale të Lirisë. Për të, ky përvjetor ka një kuptim që i tejkalon fjalët.

"Sa dramatike është kur mendon se sot, pas 150 vjetësh, biri ose nipi e stërnipi i një skllavi arrin të nderohet nga presidentët amerikanë dhe të zgjidhet anëtar i Kongresit. Kjo flet për rrugën dhe përparimin që kemi bërë si popull."

Ed Ayers, profesor në Universitetin e Riçmondit, thotë se mënyra më e mirë për ta shpjeguar historinë e skllavërisë dhe të luftës civile amerikane është duke i përfshirë të gjithë faktorët në këtë histori.

"Është fakt se u desh të përfshiheshin të gjithë për ta bërë këtë të mundur. Po të mos kishim një udhëheqës si Linkolni, që mori aq rreziqe mbi vete, kjo nuk do të ishte arritur. Po të mos kishim edhe një ushtri për ta realizuar, përsëri nuk do të ishte bërë. Nuk do të kishte ndodhur as po të mos ishte vendosmëria e njerëzve të skllavëruar."

((NAT SOUND OF EDWARD AYERS))
"We have a live audience today from schools, colleges and universities."

Profesor Ayers foli në një dikutim që u transmetua me internet për studentët në të gjithë vendin, mes të tjerash edhe në Universitetin George Mason afër Uashingtonit.

Brittany Passmore ishte njëra nga studentet që dëgjoi leksionin.

"Disa flisnin për Abraham Linkolnin dhe e përdornin për qëllime politike, prandaj është interesante të krahasohet kjo me politikën e sotme, për shembull tani që po afrohen zgjedhjet.

Aktorja e Hollivudit, Alfre Woodard lexoi nga kujtimet e një skllaveje të shkruara në vitin 1861.

"Skllavëria është e tmerrshme për burrat por shumë më e tmerrshme për gratë, për ju gra të lira dhe të lumtura."

Zonja Woodard mendon se Deklarata e Çlirimit nuk është thjesht një dokument.

"Kjo është fillimi kur Amerika vërtet u bë Amerikë. Pra, është një fitore e madhe që na përket të gjithëve."

Studentët do ta mbajnë mend mirë këtë mësim.

"Patëm rastin të kuptojmë ndikimin që kjo pati mbi krejt vendin dhe jo vetëm mbi skllevërit, prandaj ka shumë rëndësi për historinë.”

Deklarata fillimisht çoi vetëm në çlirimin e skllevërve në shtetet që ngritën krye gjatë Luftës Civile.

Por shumë historianë thonë se dokumenti origjinal i shkruar me dorë nga Linkolni, i cili ndodhet në arkivin kombëtar, ishte hapi i parë në procesin e gjatë të shtrirjes së të drejtave civile tek të gjithë amerikanët.
XS
SM
MD
LG