Lidhje

Studentët pa dokumenta, në ndjekje të një ëndrre


Ligji i ashtuquajtur Dream do t’i lejonte studentët pa dokumenta në Nju Jork të merrnin ndihmë financiare

Miliona emigrantë të paligjshëm kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara, të tërhequr nga punëdhënësit që duan krah të lirë pune.

Ata që vijnë që fëmijë me prindërit, rriten me një kulturë që nuk i dallon aspak nga moshatarët e tyre të lindur në Shtetet e Bashkuara.

Por kur vjen momenti që ata kërkojnë ndihmë financiare për të hyrë në universitet, ata përballen me realitetin e hidhur të statusit të tyre si të jashtëm dhe pa dokumenta.

Një grup studentësh në Nju Jork po përpiqet të gjejë një zgjidhje për këtë situatë:

Studentë pa dokumenta nga Kolegji Lehman i Nju Jorkut janë të veshur me uniforma akademike për një protestë para zyrës së kryetarit të asamblesë shtetërore, Sheldon Silver.

Pothuajse menjëherë ata nxirren përjashta, pasi protesta e tyre konsiderohet e paligjshme. Protesta u mbajt në një ditë përpjekjesh për të siguruar mbështetje për Ligjin Dream, që do t’u jepte studentëve pa dokumenta të drejtën për të kërkuar kredi për koston e universitetit.

Dita filloi me udhëtim me autobus në kryeqytetin e shtetit New York, Albany. Melissa Garcia thotë se rrethanat e vështira ekonomike në vendlindjen e saj Columbia e detyruan nënën e saj të vinte në Shtetet e Bashkuara para 11 vjetësh:

“Ka shumë të rinj që janë sjellë këtu pa dokumenta që fëmijë, ndoshta që kur kanë qenë 6 muajsh, foshnja. Ata nuk janë përgjegjës për ardhjen këtu, kështuqë kthimi nuk është zgjidhje. Ata as nuk dinë gjuhën, as nuk e njohin vendin e tyre. Këtu është vendi i tyre”.

Propozuesi i ligjit Dream për Nju Jorkun, senatori i shtetit Bill Perkins i tha Zërit të Amerikës se masa do të çonte në hyrjen në fuqi të ligjit fedaral Dream, që parashikon dhënien e shtetësisë për studentët pa dokumenta. Ai thotë:

“Mendoj se do t’i japë shtysë lëvizjes, mbështetjes që besoj se do të nxisë reforma të tilla në gjithë vendin dhe t’i dërgojë sinjalin kongresit, qeverisë dhe presidentit se ka ardhur koha që ligji Dream të miratohet në nivel kombëtar”.

Studentët përshkuan korridoret e ndërtesës së legjislaturës së shtetit duke u kujtuar ligjvënësve se të diplomuarit nga universiteti paguajnë mesatarisht 3 mijë e 900 dollarë taksa më shumë në vit, sesa të tjerët. Por këshilltarët e ligjvënësve nuk dukeshin shumë të entuziazmuar.

Anëtari i Asamblesë Steven Englebright shprehu mirëkuptim për studentët pa dokumenta, por shtoi...

“Edhe nëse ata vërtet janë në gjendje të kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme për këtë shoqëri, reagimi fillestar politik është negativ, nga disa grupe”.

Një nga këto grupe është Senati i Shtetit, ku Partia Republikane ka shumicën. Shumë republikanë në Shtetet e Bashkuara janë kundër ndihmës për emigrantët e paligjshëm.

Studentët e përfunduan ditën e tyre në Albany, jo me shumë shpresë. Protesta e tyre para zyrës së kryetarit të asamblesë nuk solli rezultat të menjëhershëm.

Por të nesërmen ata u mblodhën përsëri para zyrës së tij në Manhattan duke shpresuar që ai do të fuste në program një votim për ligjin para se të mbyllet legjislatura më 21 qershor. Miratimi do ta bënte Nju Jorkun shtetin e katërt, pas Teksasit, Kalifornisë, dhe Nju Meksikos që do t’i siguronte ndihmë financiare për studimet, studentëve pa dokumenta.
XS
SM
MD
LG