Lidhje

Dhuna në filma dhe lojrat elektronike


Tragjedia e kohëve të fundit ku u vranë 20 fëmijë dhe disa të rritur në një shkollë në Kënektikat, ka risjellë në skenë diskutimet rreth kontrollit të armëve në Shtetet e Bashkuara. Por shumë thonë se prania e armëve nuk është faktori i vetëm që mund të nxisë një veprim të dhunshëm me pasojë humbje jete.

Megjithëse industria e hedh poshtë, disa ekspertë thonë se filmat që i ngenë lavde dhunës dhe lojrat elektronike që shpërblejnë vrasjet, mund të jenë po aq të dëmshme, kryesisht në duart e njerëzve me probleme mendore.


Kur filmi “The Dark Knight Rises” doli në kinema në korrik, dhuna dhe shkatërrimi në të, shërbyen si motiv i një vrasjeje masive të shikuesve në një kinema në Aurora të shtetit Colorado.

Autori i vrasjes, 24 vjeçari James Holmes, ishte bërë si personazhi Joker nga filmi Batman. Holmes vrau 12 njerëz dhe plagosi 58 të tjerë.

Prodhimi i filmave me dhunë vazhdoi edhe pas masakrës.

Drama “Killing Them Softly” rreth një vrasësi me pagesë doli në kinema në fund të muajit nentor.

Premiera këtë javë e filmit me dhunë “Django Unchained” u anulua për të respektuar të vrarët në Kenektikat, megjithëse filmi do të dalë më pas në kinema.

Avokatja mbrojtëse Rene Sandler thotë se vrasjet në filma mund të jenë burim frymëzimi për vrasje reale në jetë. Ajo thotë:

“Autori kthehet në personazh, merr formën e një individi agresiv dhe të dhunshëm apo të një superheroi dhe tragjedia në Aurora është shembull i përkryer i kësaj.”

Avokatja thotë se dhuna në lojrat elektronike e tejkalon dhunën në filma dhe se kjo gjë duhet kontrolluar.

“Kam parë klientët që janë përfshirë në lojrat elektronike me vrasje ku përdorin armët dhe marrin pikë dhe fitojnë lojën bazuar në numrin e njerëzve që vrasin. Në këtë vend ne mund të ndalojmë pijet me sheqer për fëmijët sepse nuk janë të shendetshme. Por nuk kemi bërë asgjë për të ndaluar lojrat elektronike të dhunshme për fëmijët dhe të rriturit.”

Zonja Sandler thotë se vetë dhuna në filma nuk përbën rrezik por mund të ndikojë tek njerëzit me probleme mendore.

Punonjësit e rendit në Kenektikat kanë thënë shumë pak rreth problemeve mendore të vrasësit 20 vjeçar, Adam Lanza. Por sulmi në shkollën fillore ka ngritur këtë çështje dhe ka shumë zëra që shoqëria të tregohet më vigjilente.

Një grup i industrisë së lojrave elektronike e quan mit lidhjen mes lojrave dhe dhunës. Pas masakrës në kinema në korrik një manjat i industrisë së filmave bëri thirrje për diskutimin e dhunës në filma, çfarë ende nuk është realizuar.

Megjithatë, një film i propozuar për çmimin Oscar vitin e kaluar, “We Need to Talk About Kevin”, i ngjason tragjedisë në qytetin Njutaun. Personazhi 16 vjeçar Kevin nga një familje e pasur, kryen vrasje masive në një shkollë të mesme pas vrasjes së pjesëtarëve të familjes. Filmi ka ngritur shumë pikpyetje rreth gjendjes mendore tek adoleshentët, problemeve në familje dhe dhunës në shoqëritë amerikane.
XS
SM
MD
LG