Lidhje

Ushtari amerikan përballë akuzave mbi sulmin që shkaktoi 16 viktima në Afganistan


Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se padia zyrtare do të paraqitet së shpejti kundër rreshterit Robert Bales, i cili akuzohet për vrasjet e 16 civilëve afganë, përfshi 9 fëmijë, në një sulm kundër dy fshatrave në Afganistan, më 11 mars. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins ka përgatitur një material që tregon më tepër mbi të dyshuarin.

Rreshteri i ushtrisë amerikane Robert Bales po mbahet brenda një qelie të izoluar, në një burg ushtarak të shtetit të Kansasit.

38 vjeçari, baba i dy fëmijëve, kishte shërbyer në Irak tre herë, para se të mbërrinte në Afganistan dhjetorin e kaluar. Halla e zotit Bales, Michelle Cadell, thotë se ai u rrit në një familje të dashur.

“Duket sikur bëhet fjalë për dy njerëz krejtësisht të ndryshëm. Dhe çdo grua e moshuar në lagje e thërret atë “Bobi im” dhe jo Bobi Bales. Askush nuk e njeh Bobi Bales, ai është “Bobi im”.

Zoti Bales jetonte në këtë shtëpi në shtetin e Uashingtonit, me gruan dhe familjen e tij. Një banues i lagjes së tij, Paul Wholberg, e përshkruan si një njeri të mirë.

“Ai ishte thjesht një djalë i mirë dhe i këndshëm. Kurrë nuk mendoja se diçka e tillë do të mund të ndodhte.”

Robert Bales është një veteran i ushtrisë, që ka shërbyer për 11 vjet. Ai pësoi një dëmtim traumatik të trurit gjatë një aksidenti me makinë në Irak në vitin 2010, por doktorët më vonë thanë se ai ishte në gjendje të shërbente. Michael Blevins është rritur në anën tjetër të rrugës prej shtëpisë së zotit Bales në Ohaio, ku ai ishte edhe kapiten i skuadrës së tij të futbollit gjatë shkollës së mesme.

“Që nga koha kur isha në gjendje të ecja, unë rrija shumë shpesh pranë tij dhe shihja se çfarë bënte ai. Mundohesha të rrija me të sa më shumë që mundesha, që të mësoja prej tij.”

Një tjetër shok i shkollës së mesme, Steve Berling, thotë se Bales donte gjithmonë të ndihmonte njerëzit.

“Ai ndjeu se kishte nevojë për diçka më të rëndësishme në zemrën e tij, në mendjen e tij dhe në shpirtin e tij. Kjo është arsyeja për të cilën ai filloi shërbimin ushtarak.”

Dokumenta të gjykatës tregojnë se zoti Bales është një snaiper. Ai ka marrë lavdërime për sjellje të mirë gjatë të gjithë shërbimeve luftarake. Por në Shtetet e Bashkuara ai u përball me probleme ligjore lidhur me ushtrimin e dhunës ndaj të dashurës së tij në vitin 2002 dhe u detyrua të ndiqte kurse për të kontrolluar zemërimin. Ai gjithashtu ishte përfshirë në një aksident pas të cilit kishte braktisur vendin e ngjarjes. Vitin që shkoi, gruaja e tij tha se ai ishte mjaft i zhgënjyer për një mosngritje në detyrë.

Avokati i tij, John Henry Browne, lë të kuptohet se ai mund të argumentojë se zoti Bales vuante prej çrregullimeve të stresit pasluftarak dhe pastraumatik.

“Kushdo që ka shërbyer tre apo katër herë në Lindjen e Mesme vuan nga forma të çrregullimit prej stresit pastraumatik.”

Njerëzit që e njihnin rreshterin Bales thonë se ai nuk shfaqte shumë shenja që tregonin probleme me zemërimin. Avokati i zotit Bales thotë se, ndërkohë që procesi gjyqësor do të fillojë, do të ketë një vlerësim për të parë nëse ai është ose jo i përshtatshëm nga ana mendore t’i nënshtrohet një gjyqi.

XS
SM
MD
LG