Lidhje

Ushtria e Mianmarit përdor dhunën kundër protestuesve


Policia e Mianmarit shtypi njerëzit që protestuan kundër puçit ushtarak në kryeqytetin e vendit, Najpjitav të martën duke përdorur të shtëna paralajmëruese, plumba gome dhe topa uji. Të paktën dy protestues njoftohet se janë plagosur rëndë pasi besohet se u qëlluan me armë.

Protestuesit dolën në rrugët e kryeqytetit të Mianmarit për të katërtën ditë me radhë, duke sfiduar kufizimet e vendosura nga junta ushtarake që kanë për qëllim ndalimin e protestave masive kundër përmbysjes së qeverisë së zgjedhur civile, duke përfshirë udhëheqësen e saj Aung San Suu Kyi. Një mjek, cili trajtoi protestuesit në një spital i tha Zërit të Amerikës se të paktën dy prej tyre kanë marrë plagë të shkaktuara nga armë zjarri, njëri në kokë, tjetri në gjoks.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price përsëri i bëri thirrje juntës ushtarake në Mianmar që të heqë dorë nga pushteti dhe të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë.

"Ne dënojmë me forcë dhunën kundër demonstruesve. Të gjithë individët në Mianmar kanë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe atë të tubimit paqësor, përfshirë protestat paqësore", tha zoti Price.

Protestat masive që sfidojnë kufizimet janë në përputhje me pritshmëritë e një analisti të çështjeve të Mianmarit.

"Nuk jam i befasuar nga shpirti dhe dëshira e njerëzve të Mianmarit për të kundërshtuar puçin ushtarak dhe për të rivendosur demokracinë", tha Joshua Kurlantzick i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ekspertë të tjerë thonë se Shtetet e Bashkuara kanë shumë pak mundësi për të ndikuar tek gjeneralët e Mianmarit, sepse Uashingtoni tashmë ka vendosur sanksione ndaj udhëheqësit të juntës, Min Aung Hlaing.

"Në vitin 2019, ndaj tij dhe gjeneralëve të tjerë të lartë u vendosën sanksione, bazuar në Aktin Global Magnitsky, për fushatën e tyre të spastrimit etnik kundër komunitetit Rohinga. Pra, si mund të vendosni sanksione ndaj një personi që tashmë është i ndaluar të ketë prona dhe të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara, ose të bëjë biznes me amerikanët?", thotë Greg Poling i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ekspertët thonë se me kaq pak ndikim në Mianmar, opsioni më i mirë për Shtetet e Bashkuara është të punojnë ngushtë me vendet e tjera.

"Pra, Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me demokracitë në Evropë, Kanada, Japoni, dhe disa nga vendet e Azisë Juglindore si Singapori, Indonezia dhe India. Pra, patjetër që do të ketë nevojë për multilateralizëm këtu, sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër që Shtetet e Bashkuara, të vetme të ushtrojnë ndikim për ndryshim politikash në Mianmar", thotë Joshua Kurlantzick i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Mianmari ka qenë një temë konstante në angazhimin e Amerikës me aleatët në të gjithë botën këtë javë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG