Lidhje

Një studim i ri mbi stërvitjen për të moshuarit


Larg të luajturit domino, pensionistët e sotshëm kërkojnë më tepër të rinovojnë abonimin në palestër. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, një studim i ri tregon se të moshuarit përfitojnë më shumë prej llojit të ushtrimeve që vetëm pak vite më parë konsideroheshin të rrezikshme për trupat e tyre.

Në kryeqytetin kinez, të moshuarit hedhin poshtë paragjykimin se janë “të vjetër dhe të brishtë”.

“Që kur dola në pension nuk kam me çfarë të merrem, kështu që vij këtu dhe stërvitem”, thotë Yu Songwang, fermer 68-vjeçar në pension.

Yu Songwang është një nga qindra të moshuarit që stërviten në Tempullin e Parajsës, në Pekin.

“Nuk rri në shtëpi, pasi nuk kam ç’të bëj. Bëj një orë not, pastaj ushtroj muskujt, dhe në vazhdim luaj bilardo. Gjëra që më pëlqejnë”, thotë zoti Yu.

Studiuesit thonë se i ka kaluar koha mendimit se stërvitja është e tepërt për trupin e të moshuarve.

“Strategjia më e mirë për t’u mbrojtur nga sëmundjet që kombinohen me vështirësitë e moshës, është përqafimi i një stërvitjeje të rregullt”, thotë dr. Leigh Breen, i Shkollës së Sportit dhe Rehabilitimit Nëpërmjet Stërvitjes, në Universitetin e Birminghamit.

Ushtrimet e rezistencës rrisin masën muskulare dhe densitetin e kockave, dy aspekte të rëndësishme për mirëqenien e trupave të moshuar.

“Kërkuam të zbulojmë nëse muskujt e individëve që kishin qenë tepër aktivë gjatë jetës së tyre, super atletë i quajmë ne, reagonin më mirë ndaj ushtrimeve të rezistencës, krahasuar me të moshuarin e zakonshëm që ka bërë jetë sedentare. Zbuluam se muskujt e tyre reagojnë në mënyrë identike ndaj ushtrimeve të rezistencës”, thotë Dr. Breen.

Ai u sugjeron njerëzve në të 50-tat apo 60-tat që të përfshijnë në javën e tyre, stërvitje force dy deri në tre ditë në javë.

“Konstatuam deri në 20% krijim muskujsh nga stërvitja tek të gjithë të moshuarit që nuk ishin stërvitur më parë”, thotë Dr. Breen.

Dr. Breen thotë se anëtarësimi në palestër është shumë pozitiv, por edhe ushtrimet e thjeshta për uljen e peshës ndikuan për mirë tek të moshuarit.

“Fëmijët janë rritur dhe nipi im shkon në shkollë. Unë jam mbi 80 vjeçe tashmë. Me çfarë të merrem? Stërvitem dhe mundohem mos t’i bezdis fëmijët e mi”, thotë pensionistja 82-vjeçare, Wang Bingxiang.

Studimi i Universitetit të Birminghamit përfshiu grupmoshën e meshkujve 65 – 80 vjeç. Dr. Breen thotë se në vazhdim do të bëjnë një studim të ri për gratë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG