Lidhje

Përpjekjet e CIA-s kundër komunizmit


Në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri pritet të dalë pranverën e ardhshme libri “Operation Valuable Fiend” ose në shqip “Operacioni kundërshtari i dobishëm”, me autor Albert Lulushin. Libri përmban historinë e operacionit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit amerikan, CIA, për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri në fillim të viteve 50’. Dihet tashmë se operacioni dështoi, por pse dështoi? Regjimi komunist i Shqipërisë e propagandoi këtë dështim si fitore të tij, ndërsa Nicholas Bethel hodhi në vitin 1984 tezën se amerikanët i tradhtoi agjenti i shumëfishtë Kim Filbi. Pa e hedhur poshtë këtë tezë, studiuesi Albert Lulushi e thellon studimin e këtij operacioni dhe përshkruan elementë të shumtë që kontribuan në dështimin e tij, ndërkohë që janë hapur edhe dokumentet e CIA-s për operacionin e koduar BGFIEND.

Zëri i Amerikës: Si ju lindi ideja për këtë libër?

Albert Lulushi: Si shumë shqiptarë të brezit tim unë duke u shkolluar në shkollat komuniste shqiptare kisha dëgjuar versionin që propaganda e qeverisë shqiptare dha për këtë operacion. Kur erdha në SHBA lexova librin e Nicholas Bethel-it dhe për një farë periudhe m’u duk si përgjigje e mjaftueshme dhe e kënaqshme për pyetjen. Pastaj para një viti po bëja kërkime në arkivat qendrore këtu në Shtetet e Bashkuara dhe pashë që CIA kishte deklasifikuar një sasi shumë të madhe dokumentesh operacionale për këtë operacion që ata ndërmorën midis viteve 1949 dhe 1954. Dhe pastaj duke lexuar gjithë dokumentacionet, kuptova se historia e plotë nuk ishte treguar, nuk i ishte paraqitur qoftë publikut amerikan qoftë atij shqiptar.

Zëri i Amerikës: Pra cili ishte plani operacional i CIA-s?

Albert Lulushi: Në fillim të vitit 49-të ekzistonte një mundësi shumë e mirë për CIA-n që të përmbyste një nga regjimet që ishte nën varësinë e Bashkimit Sovjetik. Ky regjim ishte Shqipëria. Në atë kohë, siç e dini edhe ju, Tito-ja ishte shkëputur nga blloku komunist, Shqipëria vazhdonte të ishte nën varësi të BS, por nga ana fizike ishte e izoluar, kështu që nëqoftëse mund të ndodhte diçka në Shqipëri nuk kishte mundësi që trupa sovjetike të transferoheshin dhe të mbështetnin pushtetin shqiptar. Kështu nga pikëpamja e izolimit ekzistonte mundësia. CIA në atë kohë e zgjeroi rolin e saj, ata deri në atë periudhë ishin munduar që veprimet e tyre të përqendroheshin në mbledhjen e informacioneve dhe raportimin për administratën ose për Kongresin se çfarë ndodhte në vendet e tjera. Në 48-ën dhe 49-ën roli i tyre u zgjerua nga Kongresi në mënyrë që të ndërmerrnin dhe operacione paraushtarake. Kjo agjenci e re që u krijua brenda CIA-s, e kryesuar nga Frank Wisner e pa që Shqipëria dhe një plan për Shqipërinë mund të ishte plani i parë që mund të përgatisnin dhe kryenin nga pikëpamja paraushtarake. Dhe kështu e filluan ta planifikonin dhe ta vinin në ekzekutim planin e tyre.

Zëri i Amerikës: Sa i mirë përgatitur ishte ky plan?

Albert Lulushi: Po ta shohësh nga ana teorike, nga mënyra sesi i kishin studiuar aspektet mund të them se ishte planifikuar krejtësisht, nga krijimi i opozitës jashtë Shqipërisë me forcat antikomuniste kryesisht në Itali dhe Greqi që kishin emigruar pas Luftës së Dytë Botërore, deri në aspekte të planit që parashikonin, për shembull, 500 mijë dollarë mund t’i ofroheshin Mehmet Shehut edhe Enver Hoxhës në mënyre që ata të mos kundërshtonin ose të mos drejtonin ushtrinë për të vepruar kundër operacioneve. Shumë prej tyre ngelën në aspektin teorik. Shumë pak nga këto aktivitete u vunë në zbatim në praktikë.

Zëri i Amerikës: Subjekti është shumë interesant dhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, megjithatë teza e hedhur nga anglezët për agjentin e shumëfishtë Kim Filbi, i cili njoftonte sovjetikët dhe sovjetikët më pas komunistët në Tiranë. A është kjo teza e vetme, çfarë të rejash zbuluar ju që e zbehin apo e përforcojnë këtë tezë?

Albert Lulushi: Për mendimin tim, arsyeja kryesore pse operacionet dështuan nuk ishte Filbi, ka shumë arsye, por po shohim disa. Sido që CIA dhe shërbimi sekret anglez ishin aleatë në këtë operacion, vetë mënyra sesi këto operacione sekrete ekzekutoheshin nga pikëpamja operacionale, ka distancë midis dy shërbimeve. Palët e CIA-s nuk ndahen dhe nuk i paraqiten palës angleze dhe anasjelltas. Kështu sido që Filbi, për shembull, nga ana strategjike mund të kishte dijeni për planin dhe synimin e objektivat e planit nga ana operacionale ai nuk e dinte se ku do të parashutoheshin agjentët amerikanë. Po ti shohësh faktet, ata agjentë që u kapën ose dhe u vranë ishin më shumë amerikanë, kurse agjentët anglezë që dërgonin, në përgjithësi ishin të suksesshëm dhe dilnin nga Shqipëria pa rënë në duart e sigurimit. Dhe mund të bëhet pyeteja, nëse Filbi i sabotonte këto operacione ai do të sabotonte qoftë operacionet angleze po ashtu dhe të amerikanëve. Pastaj po ti shohësh dështimi më i madh për amerikanët ndodhi pasi Filbi u tërhoq nga Uashingtoni, pasi ai ra në dyshim se ishte agjent i dyfishtë, e thirrën nga Uashingtoni në Londër dhe u detyrua të jepte dorëheqjen nga shërbimi sekret anglez dhe kjo ishte në pranverën dhe verën e 51-shit kurse humbjet më të rënda të amerikanëve në këtë operacion ndodhën në 52-shin deri në 54-ën.

Zëri i Amerikës: Pas kësaj ka pasur përpjekje të tjera nga CIA për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri?

Albert Lulushi: Nuk ka pasur veprime aktive. E them këtë sepse një nga mësimet që qoftë administrata politike por dhe CIA nxori nga ky operacion ishte që ishte shumë e vështirë për të përmbysur një regjim që ishte vendosur në Evropën Lindore. Ata e kaluan vëmendjen në Lindjen e Mesme, për shembull, organizuan një grusht shteti në Teheran në 53-shin dhe pastaj e kaluan vëmendjen në Amerikën Latine në 54-ën ku organizuan një grush shteti në Guatemalë. Nga pikëpamja e asaj kohe të dy këto operacione ishin të suksesshme dhe e arritën objektivin e tyre. Kështu që nga pala amerikane u pa që është më mirë që të drejtohen nga agjentët që ishin përgatitur dhe kishin marrë përvojën e operacionit shqiptar ose në Lindjen e Mesme ose në Amerikën Latine sepse aty ka më shumë mundësi që të ketë sukses. Të njejtën agjentë u përdorën për të kryer operacionin në Kubë në 61-shin që e dimë që përfundoi në dështim për amerikanët, më pas ata kaluan në Azinë Juglindore, në Vietnam, Indokinë, e të tjera.

Zëri i Amerikës: Përveç vlerave historike çfarë mendoni se do të sjellë ky libër për shoqërinë dhe politikën shqiptare, tashmë në demokraci?

Albert Lulushi: Është pyetje shumë interesante, se këto janë ngjarje që kanë ndodh rreth 60 vjet përpara. Një aspekt që mendoj se libri ka vlerë është se e tregon historinë në mënyrë faktike duke u bazuar në dokumente pa influenca subjektive të pikëpamjeve të ndryshme. Por edhe një mësim tjetër që mund ta shikojmë në një shkallë më të lartë është se, për mendimin tim, një nga arsyet pse operacion dështoj ishte se forcat antikomuniste shqiptare nuk arritën të bashkoheshin në një front unik ashtu siç nuk u bashkuan gjatë luftës edhe pas luftës ata vazhduan që të ishin të përçarë dhe të luftonin me njëri-tjetrit. Po të shikosh për shembull në vitin 1999 kur kishim komfliktin në Kosovë, edhe pse kishin divergjenca midis tyre, forcat politike shqiptare paraqitën një front të bashkuar, dhe paten sukses. Si një mësim, për shembull, për palët në politikë sot, si në Kosovë edhe në Shqipëri, sidoqë mund të ketë divergjenca brenda për brenda, për sa i përket aspektit ndërkombëtar, aspektit të avancimit të çështjes së kombit shqiptar në bashkësinë ndërkombëtare, duhet të ekzistojë në front i bashkuar.
XS
SM
MD
LG