Lidhje

Siri: Vazhdojnë luftimet në Aleppo


Aktivistët e opozitës siriane kanë njoftuar për përleshje të shumta sot, përfshirë luftimet e vazhdueshme në qytetin më të madh të vendit, Aleppo. Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani tha se forcat qeveritare po bombardonin disa lagje në Aleppo dhe se ushtarët po luftonin me kryengritësit në qytet.

Organizata, njoftimet e së cilës nga dëshmitarët brenda vendit nuk mund të konfirmohen për shkak të kufizimeve ndaj medias së huaj tha se forcat e Presidentit Bashar al-Assad po bombardonin edhe pjesë të provincës Deraa dhe ishin duke kryer bastisje.

Aktivistët thonë se luftime ndodhën gjithashtu në disa zona të kryeqytetit Damask dhe në provincën Homs.

Po sot, disa përfaqësues të opozitës siriane që po takohen në Kairo, thanë se do të fillojnë formimin e një qeverie tranzicion në mërgim.

Refugjatët sirianë në Turqi thonë se sulmet po zhvillohen në shkallë të gjerë.

“Gjendja është e mjerueshme në Homs. Assadi po na sulmon me helikopterë, aeroplanë luftarakë, tanke, raketa hedhëse dhe mortaja. Bombardimet po ndodhin në Homs dhe Talbiseh dhe Rastan aty pranë. Gjendja është shumë e vështirë. Ne po bombardohemi natë e ditë dhe ka viktima. Vëllezërit tanë në Idlib po na ndihmojnë t’i transferojmë në Turqi. Zoti i ndihmoftë të fitojnë ndaj tiranit Bashar al-Assad”.

Aktivistët thonë se luftimet ndodhën gjithashtu në disa zona të kryeqytetit Damask dhe në provincën Homs.

Sekretari i Përtgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon tha dje se është tepër i shqetësuar për pasojat e bombardimeve dhe zjarrit tek civilët sirianë.
“I dërguari i posaçëm dhe unë jemi tepër të shqetësuar për gjendjen në Aleppo. Dhuna atje ka detyruar një numër të madh civilësh të braktisin shtëpitë e tyre. Unë jam tepër i shqetësuar nga pasojat e bombardimeve dhe përdorimit të armëve të tjera të rënda ndaj civilëve në Aleppo dhe zona të tjera të Sirisë”.


Zoti Ban i bëri gjithashtu thirrje zotit Assad që të premtojë të mos përdorë absolutisht armë kimike.

Po dje, Ministria e Jashtme Britanike tha se kryediplomati i Sirisë në Londër dezertoi, zyrtari i fundit i lartë që lë detyrën në shenjë proteste ndaj shtypjes së përgjakshme nga ana e forcave qeveritare kundër opozitës.

Ministria e Jashtme tha se i Ngarkuari me Punë Khaled al-Ayubi e informoi se nuk do të përfaqësonte më qeverinë e Presidentit Assad.
XS
SM
MD
LG