Lidhje

Në Egjipt vazhdojnë protestat dhe spekulimet për rezultatin


Në Egjipt vazhdojnë protestat dhe spekulimet për rezultatin
Në Egjipt vazhdojnë protestat dhe spekulimet për rezultatin

Protestuesit në Egjipt nuk po japin shenja të fashitjes së thirrjeve për dorëheqjen e Presidentit Hosni Mubarak pas 30 vjetësh në pushtet. Dje vonë, nënpresidenti i Egjiptit Omar Suleiman tha se është i autorizuar të hapë një dialog me opozitën.

Shtetet e Bashkuara kanë pasur lidhje të forta me Egjiptin që nga fundi i luftës arabo-izraelite në vitin 1973 dhe shumë analistë thonë se Egjipti nën regjimin e zotit Mubarak ka mbrojtur interesat amerikane në Lindjen e Mesme, veçanërisht me traktatin e paqes mes Egjiptit dhe Izraelit.

Deri tani Shtetet e Bashkuara kanë qenë të matura në komentet nëse zoti Mubarak duhet të japë dorëheqjen. Por zërat egjiptianë brenda dhe jashtë vendit thonë se revolucioni ka filluar dhe Shtetet e Bashkuara, çfarëdo pozicioni që të marrin nuk mund të kenë shumë rol në drejtimin e tij.

Ndërsa po bëhet një javë që kur kanë filluar protestat në Egjipt, trazirat nuk po tregojnë shenja fashitjeje. Në fakt, ato duket se po intensifikohen. Kjo megjithë tanket nëpër rrugë dhe helikopterë në hapësirën ajrore.

“Ky është revolucioni i madh egjiptian. Ne jemi në një revolucion. Dhe ne do ta shkatërrojmë Mubarakun”.

Presidenti Hosni Mubarak emëroi një nënpresident për herë të parë që kur mori pushtetin në vitin 1981. Ai ka caktuar gjithashtu një ministër të ri të brendshëm. Por protestuesit thonë se duan që zoti Mubarak dhe qeveria e tij të ikin nga pushteti.

Nobelisti i Paqes Mohamed El Baradei është bërë fytyra e lëvizjes pro-demokratike. Ai thotë se ndryshimi nuk do të thotë se fondamentalizmi islamik po vendoset në Egjipt.

“Këtë tezë përpiqej regjimi t’i shiste Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara: që ose jemi ne, shtypje ose islamistë të tipit të al-Kaidës. Por nuk është ky Egjipti”.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, demonstratat që bëjnë thirrje për përmbysjen e Presidentit Mubarak vazhdojnë.

Studentja egjiptiane Maryam Aziz kërkon të dijë nga Presidenti Barak Obama se çfarë po mbështesin Shtetet e Bashkuara.

“30 vjet nën Mubarakun, 30 miliardë dollarë ndihmë amerikane do të thotë tre dekada tirani amerikane”.

Ndërsa disidenti egjiptian Saad Eddin Ibrahim thotë të njëjtën gjë,

“Ne po i kërkojmë qeverisë amerikane që të respektojë traditën e vet dhe të respektojë parimet e saj dhe të mbështesë popullin”.

Administrata e Presidentit Obama ka bërë thirrje për një tranzicion të rregullt tek një qeveri e përgjegjshme por nuk ka bërë thirrje direkt për largimin e zotit Mubarak.

Ndryshimi i regjimit do të ishte një rrezik për Shtetet e Bashkuara, siç thonë shumë analistë. “Vëllazërimi Mysliman”, lëvizja më e madhe opozitare e vendit, ka një program islamik

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs la të kuptohej se Uashingtoni është i shqetësuar se mos kjo lëvizje merr pjesë në një qeveri të ardhme.

“Për të marrë pjesë në këtë proces demokratik, duhet të jesh pjesë e tij, por jo ta përdorësh, apo ta marrësh nën kontroll thjesht për ta vënë veten në pushtet”.

Marina Ottaway, në Fondacionin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të kenë frikë. ,

“Nuk do të shohim skenarin që aq shumë i druhen Shtetet e Bashkuara që islamistët të marrin kontrollin”.

Por disa analistë thonë se mund të mos ketë rëndësi se çfarë thonë ose nuk thonë Shtetet e Bashkuara.

Marwan Muasher është ish-Ministër i Jashtëm i Jordanisë.

“Nuk mundesh që të jesh në heshtje për vite me radhë dhe pastaj bën ca deklarata dhe të shpresosh që njerëzit do të të dëgjojnë. Nuk mendoj se egjiptianët po dëgjojnë se ç’thonë Shtetet e Bashkuara”.

Mishelë Dune është redaktore e Buletinit për Reformë Arabe.

“Shtetet e Bashkuara janë në një pozitë shumë të vështirë. Nuk mendoj se demonstruesit do të dorëzohen ose do të ikin”.

Shteteve të Bashkuara mund të mos u mbetet shumë mundësi zgjedhjeje në rezultatin e asaj që mund të jetë kryengritja më e madhe popullore në historinë e Egjiptit.

XS
SM
MD
LG