Lidhje

Vendet ish komuniste kërkojnë vëmendjen amerikane


Vendet ish komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore po ndjekin nga afër se si do të ndikojë rizgjedhja e presidentit amerikan Barack Obama tek pasiguria e tyre ekonomike në të ardhmen. Siç njofton korrespondenti ynë Stefan Bos nga Budapesti, zëvëndës kryeministri i Hungarisë i tha Zërit të Amerikës se ka shqetësime se politika e jashtme amerikane është larguar nga vendet e ish bllokut sovjetik.

Banda e forcës ajrore hungareze luante muzikë klasike amerikane, ndërsa qytetarë hungarezë, amerikanë dhe të tjerë u mblodhën në Budapest për një aktivitet në natën e zgjedhjeve amerikane, më i madhi në Evropë.

Rreth 1,500 të ftuar u mblodhën në një sallë të madhe të zbukuruar me tullumbacë dhe fotografi të mëdha të kandidatëve presidencialë dhe replika të zyrës ovale të Shtëpisë së Bardhë në një prej hoteleve më luksozë të kryeqytetit hungarez.

Banorë të Hungarisë ndoqën të habitur në ekranët e mëdhenj të televizorit, rezultatin e zgjedhjeve, i cili përfundoi me fitoren e qartë të Presidentit Barack Obama. Megjithëse udhëheqësit e Hungarisë dhe të vendeve të tjera të Evropës qendrore dhe lindore e uruan më vonë zotin Obama për rizgjedhjen e tij, festimet u mjegulluan nga shqetësimet.

Zëvëndës kryeministri hungarez, Tibor Navracsics i tha Zërit të Amerikës se shpreson që presidenti të përqëndrohet më shumë tek Hungaria dhe vende të tjera që u pushtuan për dekada nga forcat e Bashkimit Sovjetik, mes shqetësimeve rreth ndikimit në rritje të Rusisë.

“Mendoj se vendet e Evropës qendrore janë zhdukur nga sytë e politikës së jashtme amerikane. Analistë dhe grupe të ndryshme politike mendojnë se Evropa qendrore është e sigurtë dhe jo në rrezik të një ndikimi të mundshëm të Rusisë. Herë-herë ne mendojmë ndryshe”.

Në krye të listës së tij janë investimet amerikane të mbështetura nga Uashingtoni, ndërsa Hungaria, e goditur nga kriza ekonomike, është e detyruar të negociojë një shumë prej 19 miliardë dollarësh ndihma financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian.

Zoti Navracsics i tha Zërit të Amerikës se shpreson që këtë vit ose në fillim të vitit të ardhshëm të nënshkruhet një marrëveshje, megjithë tensionet mes Hungarisë dhe organizatave që thuhet se kërkojnë masa të ashpra ekonomike si dhe përfundimin e taksave të debatueshme mbi bankat dhe kryesisht kompanitë e huaja.

Hungaria është mes disa vendeve ish komuniste, anëtare të BE-së, që kërkojnë marrëdhënie më të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Këto ndjenja ka edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i cili u takua këtë javë me bashkëshortet e të burgosurve politikë në Bjellorusi.

“Gjatë 2-3 vjetëve të fundit, herë pas here, ne kemi ndjerë një fare 'zbehje' në marrëdhëniet mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Rizgjedhje e Barack Obamës mbi bazat e programit të tij është inkurajim për ne të gjithë për një bashkëpunim më të madh mbi bazat e interesave të përbashkëta në luftën kundër spekullimeve në gjithë botën, në luftën kundër problemeve të ndryshimeve klimatike dhe në bashkëpunimin për paqe, drejtësi dhe zhvillim në botë”.

Por ministri i Jashtëm i Polonisë nuk është optimist se një gjë e tillë do të ndodhë menjëherë. Ai i tha një radiostacioni polak se Presidenti Obama pritet të përqëndrohet tek Lindja e Mesme, pas fitores në zgjedhjet e 6 nëntorit.

Ministri Radek Sikorski tha me anë të një deklarate se "tradicionalisht, presidentët në mandatin e dytë, veçanërisht të Partisë Demokrate, përpiqen më shumë të zgjidhin konfliktin izraelito-palestinez”. Ai u citua të ketë thenë se zoti Obama "ka premtuar tashmë të ndihmojë për krijimin e një shteti palestinez”.

Megjithatë, udhëheqësit e vendeve të ish bllokut sovjetik shpresojnë që Presidenti Obama ta përfshijë rajonin e tyre të trazuar në axhendën e tij të ngjeshur 4 vjeçare.
XS
SM
MD
LG