Lidhje

Aleatët e Presidentit Chavez fitojnë shumicën


Aleatët e Presidentit të sëmurë nga kanceri të Venezuelës, Hugo Chavez, fituan me shumicë në zgjedhjet e guvernatorëve. Këshilli zgjedhor i Venezuelës tha se partia në fuqi fitoi 20 nga 23 vende në zgjedhjet e djeshme.

Megjithatë, Henrique Capriles, rivali i zotit Chavez në zgjedhjet presidenciale mundi të mbante postin e tij të guvernatorit të shtetit Miranda. Kjo fitore i krijon mundësi atij si kandidati më i preferuar i opozitës për të zënë vendin e zotit Chavez, nëse gjendja shëndetësore e detyron të largohet nga posti i presidentit.

Pjesëmarrja prej 53 përqind e zgjedhësve në votime ishte shumë më e ulët se pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale të kohëve të fundit.

Presidenti Chavez, i cili u rizgjodh në muajin tetor, tha se nënpresidenti Nicolas Maduro do të zente vendin e tij, nëse ai nuk do të ishte në gjendje të përmbushte përgjegjësitë. Chavez u ka bërë thirrje përkrahësve të tij të votojnë për zotin Maduro nëse do të mbaheshin zgjedhjet presidenciale. Largimi i Presidentit Chavez nga posti do të sillte mbajtjen e zgjedhjeve brenda 30 ditësh.
XS
SM
MD
LG