Lidhje

Kriza në Venezuelë vë përballë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë


Zyrtarët e Kremlinit dhe mediat shtetërore ruse e portretizojnë presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, si udhëheqës legjitim të vendit, edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe një mori shtetesh të tjera e kanë shpallur atë udhëheqës të paligjshëm dhe kanë njohur drejtuesin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të vendit. Mediat ruse i referohen demonstruesve anti-Maduro si ekstremistë që veprojnë nën ndikimin e Shteteve të Bashkuara. Por numri i venezuelianëve në rrugët e Karakasit, të dëshpëruar pas disa vite përkeqësimi të varfërisë dhe mungesave së ushqimit, tregojnë se trazirat janë të brendshme dhe janë ushqyer nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i qeverisë socialiste të Maduros. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Karakas Alvaro Algarra dhe Ihar Tsikhanenka në Uashington kanë përgatitur materialin.

Qeveria ruse dhe analistët pro-Kremlinit i krahasojnë protestat në rrugët e Venezuelës me kryengritjet e fundit popullore në Libi dhe Ukrainë dhe akuzojnë Shtetet e Bashkuara për atë, që ata e quajnë, një përpjekje tjetër për të rrëzuar një regjim jo miqësor.

"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përmbysin qeveritë e padëshirueshme për ta. Kjo është një nga prioritetet e tyre në Amerikën Latine dhe rajone të tjera të botës", tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.

Duke investuar miliarda dollarë në Venezuelë, Kremlini vazhdon të mbështesë presidentin Nicolas Maduro dhe akuzon Uashingtonin për "përshkallëzimin e situatës", ndërsa i cilëson demonstruesit si ekstremistë.

Por banorët e Karakasit tregojnë një histori ndryshe.

"Në Venezuelë nuk ka mish. Mishi u zhduk pasi vendosën kontrollin e çmimeve", thotë një banor i Karakasit.

"Kjo nuk është parë kurrë më pare në Venezuelë. Nuk është parë kurrë. Situata po përkeqësohet çdo ditë. Ushqehemi sa gjysma e asaj që ushqeheshim më parë", thotë një banore tjetër.

Politikat socialiste të qeverisë së Maduros e kanë zhytur Venezuelën, dikur vendin më të pasur të Amerikës Latine, në një krizë humanitare. Miliona njerëz janë larguar nga vendi dhe protestat anti-Maduro janë të shpeshta.

Uashingtoni ka njohur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës dhe gjithashtu ka vendosur sanksione ndaj kompanisë shtetërore të naftës, PDVSA, në një përpjekje për të detyruar Maduron të largohet.

Megjithatë, pavarësisht nga denoncimet e Moskës për politikën e Uashingtonit në Venezuelë, analistët thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk kanë gjasa të shkojnë në luftë për këtë çështje.

"Kjo nuk është Siria. Nuk është Krimea. Rusia, nuk kanë aftësinë apo kapacitet për ta bërë këtë, nuk mund të luftojnë një luftë në tri fronte. Thjesht nuk mund ta bëjnë këtë, veçanërisht kundër Shteteve të Bashkuara", thotë Ana Quintana me Fondacionin Heritage.

Administrata e presidentit Trump thotë se largimi i Maduros nga pushteti do të rivendosë prosperitetin në Venezuelë. Ndërkohë, Uashingtoni po nis ndihmës humanitare në rajon në një përpjekje për të zgjidhur nevojat e menjëhershme të venezuelasve të uritur dhe të dëshpëruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG