Lidhje

Vera e prodhuar nga rrushi i ngrirë, një pije e veçantë kanadeze


Vera e prodhuar nga rrushi i ngrirë, një pije e veçantë kanadeze
Vera e prodhuar nga rrushi i ngrirë, një pije e veçantë kanadeze

Vera e prodhuar nga rrushi i ngrirë bëhet një pije mjaft e preferuar për personat që kanë rastin ta shijojnë atë, numri i të cilëve po rritet vazhdimisht në mbarë botën. Ajo prodhohet nga fermentimi i rrushit të ngrirë, që lihet nëpër vreshta edhe gjatë ngricave të dimrit. Dimri i gjatë dhe i ftohtë kanadez ndihmon që kjo lloj vere të bëhet një nga produktet luksoze, më të preferuara, si brenda edhe jashtë vendit.

Në vreshta, vilet e rrushit janë të ngrira, ndërsa vendin përreth e ka mbuluar bora. Ky nuk është një aksident nga harresa. Këto vreshta janë mbjellë pikërisht me mendimin për të prodhuar verë nga rrushi i ngrirë. Ajo prodhohet nga rrushi që është lënë të ngrijë nëpër vreshta para se të vilet. Gjatë gjithë dimrit njerëzit vijnë në Ontario të Kanadasë për të parë se si klima e ftohtë e kombinuar me shkencën krijojnë një prej verërave më të kërkuara në botë.

Vera e prodhuar nga rrushi i ngrirë fillimisht është prodhuar në Gjermani, në vitin 1974. Ideja e vreshtave të ngrira mund të jetë krijuar aksidentalisht, kur fermerët janë përpjekur t’i shpëtojnë vreshtat e tyre nga ngrica e menjëhershme dhe papritur kanë vënë re cilësitë e rrushit të ngrirë, një shije e ëmbël e veçantë.

Në vitet 1980, sipërmarrësit e prodhidmit të verës në Kanada, filluan të përfitojnë nga dimri i gjatë në Ontario, një kusht jetik për prodhimin e verës nga rrushi i ngrirë.

Në vitin 2009, sipas Autoritetit të Verës, kantinat e prodhimit të verës të Ontarios prodhuan më tepër se 900 mijë litra verë të tillë. Po atë vit, nga shitja e verës së prodhuar nga rrushi i ngrirë, u realizuan shitje prej mbi 90 milionë dollarë. Klima e Ontarios është e shkëlqyer për prodhimin e verës nga rrushi i ngrirë.

Në fillim të dimrit, kur temperatura shkon në -8 gradë Celsius, ose më pak, ekipet mbledhin me dorë rrushin dhe e shtypin atë menjëherë. Ajo që përftohet është është një lëng i trashë, i koncentruar me shumë sheqer dhe aciditet.

Verë të ngrirë prodhojnë edhe Gjermania, Austria dhe SHBA, por vetëm Ontario garanton që prej rrushit të ngrirë të prodhohet verë çdo vit, sepse temperaturat atje janë gjithmonë në nivelin e nevojshëm.

Karl Keiser e themeloi kantinën e tij të prodhimit të verës në vitin 1984 dhe ai zgjodhi rrushin e tipit Vidal, sepse ai ka lëkurë të trashë, që nuk dëmtohet nga ngricat dhe ka aromat dhe aciditetin e nevojshëm. Ai thotë se për prodhimin verës nga rrushi i ngrirë duhen zbatuar standarte të nevojshme, sepse bëhet fjalë për një prodhim luksi.

"Është e kushtueshme, është fjala për një çmim prej 60-100 dollarësh për gjysëm litri. Pra është prodhim luksi. Dhe cilësia ka të bëjë me raportin mes sasisë së sheqerit dhe acidit, që mund të krijohet vetëm nga veçoritë e klimës së ftohtë".

Në kantinën e verës, vizitorët mund të shijojnë disa lloje të ndryshme vere nga rrushi i ngrirë, të zgjedhin ato që pëlqejnë më shumë dhe të dallojnë shijet e tyre të ndryshme. Elizabeth Lewin, studente nga Nju Jorku thotë se të provosh verën e ngrirë është ndryshe nga shijimi i verës së zakonshme.

"Është më tepër si shurup dhe kjo e bën atë më të veçantë. Është më tepër si verë e ëmbël, që mund ta pish në sasi të vogël duke shoqëruar ëmbëlsirat. Është ndryshe nga vera që pihet duke shoqëruar mishin".

Njohësi i verës Konrad Ejbich thotë se në kantinat që prodhojnë verë të ngrirë gjen disa nga verërat më të mira të botës.

"Ne në Kanada fillimisht prodhonim verë të ngrirë nga Reasling, por tani prodhojmë edhe nga lloje të tjera rrushi".

Turistja Melisa Brand Wezel thotë se vera e rrushit të ngrirë sipas saj është një verë autentike kanadeze.

“Më pëlqen shumë vera e ngrirë, ka një shije të veçantë dhe është një verë kanadeze. Prodhimi i saj përbën një proces të gjatë, duhet dimri i ftohtë kanadez dhe prandaj është diçka e veçantë kanadeze”.

Shumë vizitorë vijnë këtu për të shijuar verën e ngrirë, por edhe për të parë nga afër dimrin e ftohtë kanadez, me bukuritë dhe vështirësitë e tij.

Natyra e ftohtë duhet në këtë rast se është në favor të Kanadasë, si prodhuesja më e madhe në botë e verës së ngrirë, që eksporton pjesën më të madhe në Amerikën fqinje dhe në tregjet aziatike.

XS
SM
MD
LG